Pas publikimit të aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese, është kërkuar që kryesuesi i seancës të thërras menjëherë seancën për vazhdimin e konstituimit të Kuvendit.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se kryesuesi është i detyruar që të vazhdojë me procedurat e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit por me votim të hapur.
“Seancat e Kuvendit nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025 janë shpallur të pavlefshme nga Gjykata Kushtetuese, për shkak të veprimeve kundërkushtetuese të Kryesuesit të Seancës Konstituive. Ndërkohë, Kryesuesi është i detyruar të vazhdojë procedurat për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit – me votim të hapur. Ky është një vendim i prerë dhe i detyrueshëm dhe nuk ka më hapësirë për vonesa e as për interpretime. I bëj thirrje Kryesuesit që ta thërrasë sa më shpejt seancën e radhës, në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Kosova ka nevojë për institucione funksionale, jo për zvarritje. Çdo ditë vonesë është dëm për qytetarët dhe për shtetin”, ka thënë Krasniqi.
Ndërkohë në LDK vendimin e kanë quajtur fitore e madhe për demokracinë, ligjshmërinë dhe integritetin e institucioneve.
“Ky vendim paraqet një fitore të madhe për demokracinë, ligjshmërinë dhe integritetin e institucioneve tona. Ai vërteton qëndrimin e LDK-së, e cila që nga fillimi ka insistuar se veprimet e Kryesuesit të Kuvendit dhe Lëvizjes Vetëvendosje! përbënin shkelje flagrante të Kushtetutës dhe tentim për të bllokuar funksionimin e institucioneve. LDK ka mbrojtur gjithmonë parimin se rendi kushtetues është i paprekshëm. Asnjë vullnet politik nuk mund të qëndrojë mbi supremacinë e Kushtetutës. Vendimi i sotëm i Gjykatës është jo vetëm fitore e LDK-së, por fitore e Republikës së Kosovës dhe e të gjithë qytetarëve që duan institucione funksionale, të ngritura mbi ligjshmëri, transparencë dhe norma demokratike. Ne u bëjmë thirrje të gjitha forcave politike që ta respektojnë në tërësi këtë aktgjykim. Kuvendi duhet të vazhdojë menjëherë, në përputhje me Kushtetutën, me zgjedhjen e udhëheqjes së tij përmes votimit të hapur. Çdo pengesë e mëtejshme do të ishte jo vetëm antikushtetuese, por edhe akt i papërgjegjshëm ndaj qytetarëve dhe vullnetit të tyre demokratik. LDK do të mbetet e vendosur në rolin e saj si mbrojtëse e ligjshmërisë, demokracisë dhe vlerave euro-atlantike. Republika e Kosovës meriton institucione të forta, të lindura nga Kushtetuta dhe që i shërbejnë vetëm qytetarëve”.
Në Institutin e Demokratik të Kosovës thonë se deputetët duhet të respektojnë aktgjykimin, ndonëse janë skeptikë që këtë do ta bëjnë deputetët e partisë fituese të zgjedhjeve.
“Ka disa sinjale që fatkeqësisht që mbase nuk do jenë të gatshëm të e zbatojnë në tërësi këtë aktgjykim sidomos nga partia fituese që e pam në disa konferenca e atakuan gjykatën kushtetuese gjyqtarin e Kushtetues ka edhe hezitime se nuk u pëlqen aktgjykimi si i tillë…”, ka thënë Vullnet Bugaqki nga KDI.
“Prandaj ky vendim jep mundësinë edhe një herë këtyre subjekteve politike, kësaj klase politike të papërgjegjshme, që përfundimisht dhe domosdoshmërisht, urgjentisht jo për 30 ditë, por brenda dy-tre ditëve të paktën ta konstituojnë Kuvendin dhe të hapet rruga për formimin e qeverisë dhe formimin e institucioneve dhe stabilizimin e situatës politike”, ka thënë profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu.
Nga zgjedhjet parlamentare në Kosovë kanë kaluar gati 7 muaj ndërkohë deputetët nuk kanë arritur ta konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit dhe Qeveria vazhdon të jetë në detyrë.