Kërpudhat e zeza që janë identifikuar në rrënojat e Çernobilit jo vetëm që i rezistojnë rrezatimit ekstrem, por madje rriten më shpejt falë tij.
Këtë e dëshmon studimi i shkencëtares ukrainase Neli Zhdanova, i cili u pasua edhe nga kërkime të tjera të mëvonshme, raporton BBC.
Këto kërpudha u shfaqën në një prej zonave më të kontaminuara radioaktivisht në botë dhe, sipas analizave të Zhdanovës, ato sillen ndaj rrezatimit jonizues njësoj si bimët ndaj dritës së diellit – pra tërhiqen prej tij.
Rezultatet e studimit kanë nxitur shpresën se këto mikroorganizma mund të përdoren për pastrimin e hapësirave të kontaminuara, madje edhe për zhvillimin e metodave të mbrojtjes së astronautëve nga rrezatimi gjatë misioneve hapësinore.
Zhdanova i përkufizoi këto kërpudha si “radiotropike”, ndërsa puna e saj e vitit 1997 e çoi NASA-n në idenë se struktura të ndërtuara me kërpudha të tilla mund të shërbenin si mburojë natyrale kundër rrezatimit për astronautët.
Pigmenti melaninë, i cili u jep ngjyrën e errët, është gjithashtu elementi që i mbron nga rrezatimi jonizues. Në vitin 2007, shkencëtarja bërthamore Ekaterina Dadachova nga Kolegji i Mjekësisë Albert Einstein në Nju Jork e thelloi kërkimin, duke konfirmuar se kërpudhat rriten më shpejt kur janë të ekspozuara ndaj rrezatimit.
Këto kërpudha, të gjetura fillimisht në Çernobil, treguan rezistencë të lartë edhe ndaj rrezatimit kozmik galaktik. Në dhjetor 2018, mostra të tyre u dërguan në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor, dhe sipas biokimistit Nils Averes nga Universiteti i Floridës, “kemi vërtetuar se ato zhvillohen edhe më mirë në hapësirë”.
Këto zbulime kanë nxitur idenë e përdorimit të kërpudhave për ndërtimin e mobiljeve, mureve apo strukturave të banimit në Hënë ose Mars.
Nëse konfirmohen plotësisht rezultatet e Dadačovës dhe Averešit, kjo “mikroarkitekturë” mund të shërbejë si një mburojë natyrale ndaj rrezatimit kozmik, duke siguruar një shtresë mbrojtëse mes njeriut dhe stuhive të rrezatimit në hapësirë.