Policia e Kosovës, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor për kryetar komune-balotazh, ka hartuar urdhrin operativ policor, ku janë bërë planifikimet e duhura policore lidhur me zgjedhjet (në aspektin e sigurisë), të cilat do të mbahen me 9 nëntor 2025, në Republikën e Kosovës.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e Policisë, planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor gjatë procesit të balotazhit, angazhimi dhe garantimi i sigurisë, transporti nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit, njofton Dukagjini.
Sipas planifikimeve policore qëllimi i këtij urdhri operativ është:
• krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas balotazhit.
• sigurimi i qendrave të votimit, këshillave komunale të zgjedhjeve, depove komunale, qendrës së numërimit të rezultateve dhe depove qendrore.
• përcjellja e sigurt dhe sigurimi i të gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha vendet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin e balotazhit.
• inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.
Në zbatim të urdhrit operativ, me qëllim të koordinimit në mes të nivelit qendror dhe atij rajonal të Policisë, sot më 7 nëntor 2025, është mbajtur takimi informues, këshillues e koordinues me drejtorët e Drejtorive Rajonale Policore dhe menaxhmentin e lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Në takim u diskutuan edhe pikat e veçanta që parasheh urdhri operativ, me qëllim që të sqarohen detyrat dhe aktivitetet policore lidhur me këtë aktivitet.
Policia e Kosovës njëkohësisht u ka bërë thirrje të gjithë drejtuesve të subjekteve zgjedhore dhe qytetarëve që për çdo informacion, apo çështje që ndërlidhet me aspektin e sigurisë të njoftojnë institucionet kompetente dhe Policinë e Kosovës, përmes linjës fikse dhe mobile: 192 ose në adresën elektronike [email protected] si dhe në stacionet më të afërta policore, në mënyrë që të ndërmerren masat e menjëhershme ligjore.