Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka reaguar për herë të parë pas arritjes së armëpushimit mes Iranit dhe Izraelit, duke kritikuar Shtetet e Bashkuara dhe presidentin Donald Trump.
Në një fjalim të mbajtur të enjten, Khamenei tha se sulmet e SHBA-së ndaj objektivave iraniane nuk sollën asnjë rezultat domethënës.
Ai gjithashtu akuzoi presidentin amerikan Donald Trump për, siç e quajti ai, “përshkrim jashtëzakonisht të ekzagjeruar” të situatës.
“Ishte e qartë se ai duhej ta bënte këtë. Çdokush që dëgjonte, e kuptonte se SHBA-ja po përpiqej të shtrembëronte të vërtetën”, ka theksuar Khamenei, raporton BBC.
Lideri suprem ka deklaruar se Irani ka goditur një nga bazat kryesore të SHBA-së në rajon, ndërsa amerikanët – sipas tij – u përpoqën ta minimizonin këtë sulm.
Duke komentuar thirrjet e Trumpit për dorëzim të Iranit, Khamenei u shpreh qartë: “Populli iranian ka dëshmuar unitet. Për një vend dhe një komb të madh si Irani, vetëm përmendja e dorëzimit është një fyerje”.