Kombet e Bashkuara: Izraeli dhe Hamasi kryen krime të rënda në Gaza

Kombet e Bashkuara kanë publikuar një raport ku thuhet se forcat izraelite, si dhe Hamasi dhe grupe të tjera të armatosura palestineze, kanë kryer shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare humanitare në Gaza dhe krime që mund të konsiderohen mizori ndërkombëtare.

Raporti i Zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut pranë Kombeve të Bashkuara thekson se sulmet e intensifikuara izraelite dhe zhvendosja me forcë e palestinezëve duket se synojnë një ndryshim të përhershëm demografik në Gaza, duke “ngritur shqetësime për spastrim etnik”.

Sipas dokumentit, mbajtja dhe keqtrajtimi i pengjeve nga Hamasi mund të përbëjnë krime lufte, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

Misioni i përhershëm i Izraelit në Gjenevë i hodhi poshtë gjetjet e raportit, duke deklaruar se Zyra e të Drejtave të Njeriut e Kombeve të Bashkuara “ka humbur kredibilitetin” dhe po zhvillon “një fushatë demonizimi dhe dezinformimi kundër shtetit të Izraelit”. Hamasi nuk reagoi menjëherë ndaj kërkesave për koment.

Shqetësime për spastrim etnik

Raporti 17-faqësh analizon ngjarjet në Gaza nga nëntori 2024 deri më 31 tetor 2025.

Sipas të dhënave izraelite, sulmi i Hamasit në jug të Izraelit në tetor 2023 la mbi 1,200 të vrarë dhe më shumë se 250 pengje të marrë. Ndërkaq, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, ofensiva ushtarake e Izraelit në Gaza ka shkaktuar mbi 72,000 viktima.

Një armëpushim i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës hyri në fuqi tetorin e kaluar, pas dy vitesh lufte që shkatërruan pjesë të mëdha të Gazës, zhvendosën shumicën e banorëve dhe shkaktuan krizë të rëndë humanitare.

Megjithatë, Izraeli vazhdon të mbajë nën kontroll më shumë se gjysmën e territorit të enklavës.

Raporti vlerëson se veprimet e Izraelit kanë krijuar “kushte jetese gjithnjë e më të papajtueshme me vazhdimësinë e ekzistencës së palestinezëve si grup në Gaza”.

Gjithashtu, theksohet se uria e konstatuar në disa zona të Gazës në gusht të vitit të kaluar dhe kequshqyerja janë rezultat i drejtpërdrejtë i veprimeve izraelite.

Qendrat e shpërndarjes së ndihmave, të militarizuara dhe të drejtuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës, i mbështetur nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “kanë dështuar plotësisht” të ofrojnë ndihmë humanitare në shkallën e nevojshme, duke shkelur detyrimet e Izraelit sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Raporti shton se praktikat izraelite në Gaza dhe në Bregun Perëndimor të pushtuar tregojnë për një përpjekje të përshpejtuar për të konsoliduar aneksimin e pjesëve të mëdha të territorit palestinez, përmes përdorimit të paligjshëm të forcës nga forcat e sigurisë izraelite.

“Sulmet e intensifikuara, shkatërrimi sistematik i lagjeve të tëra dhe mohimi i ndihmës humanitare duket se synojnë një ndryshim të përhershëm demografik në Gaza,” thuhet në raport, duke shtuar se zhvendosjet me forcë ngrenë shqetësime për spastrim etnik si në Gaza ashtu edhe në Bregun Perëndimor.

Shqetësime edhe për veprimet e Hamasit

Raporti thekson se vrasja në qershor të vitit të kaluar e 12 punonjësve palestinezë të lidhur me Fondacionin Humanitar të Gazës nga persona të armatosur – përfshirë ekzekutime të mundshme pa gjyq – mund të përbëjë krime lufte nga Hamasi.

Po ashtu, dokumenti ngre shqetësime për përdorimin e civilëve si mburoja njerëzore për të penguar sulmet izraelite – një akuzë që Hamasi e ka mohuar – si dhe për përdorimin e panevojshëm ose joproporcional të forcës nga Autoriteti Palestinez në Bregun Perëndimor.

Mbajtja dhe keqtrajtimi i pengjeve të marra gjatë sulmit të vitit 2023 ndaj Izraelit mund të përbëjnë krime lufte dhe krime të tjera të rënda ndërkombëtare, thuhet në raport, duke përmendur akuza për torturë, rrahje dhe privim nga ushqimi.

Raporti përfundon se duhet të ketë llogaridhënie për shkeljet serioze të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë krime të mundshme ndërkombëtare, si nga Hamasi dhe krahu i tij i armatosur, Brigadat Al-Kasam, ashtu edhe nga grupe të tjera të armatosura palestineze.

Të fundit nga rubrika