Disa javë pas reshjeve të dendura që shkaktuan vërshime në zona të ndryshme të vendit, qytetarët e prekur po hyjnë sërish në një proces pritjeje për kompensimet e dëmeve.
Në disa komuna procesi i aplikimit tashmë është përmbyllur dhe komunat mbesin në fazën përfundimtare të përpilimit të raportit.
Por në pritje nuk mbesin vetëm të dëmtuarit e këtij viti.
Tri vite pas vërshimeve të vitit 2023, dhjetëra familje mbesin në pritje të kompensimeve të premtuara për dëmet e pësuara.
Familja Ademaj nga Peja sot e kësaj dite mbetet pa shtëpi të sajën ndonëse përpos dëmeve materiale, humbën edhe dy familjarë.
“Jo s’janë pagu hiç. Përgjigje si top i futbollit. Komuna thotë e ka qeveria, qeveria thotë komuna. Kishe qeveria ka me na i pagu dëmet e kështu. Tri vjet bëhen në qershor, qysh s’jemi të zhgënjyer, qysh nuk jem.. dy viktima e pa shpi pa sen, problem”, ka thënë Milaim Ademaj.
Në gjendje të njëjtë mbetet edhe Familja Rizvani nga Komuna e Obiliqit e cila është prekur tre herë nga vërshimet.
“I kemi paraqit, kemi dërguar fotografitë e dëmeve. Komisioni erdhi, i vlerësojshin do sene. Dëmet s’janë të paguara, asnjëra hiç. Jemi të zhgënjyer boll, kemi menduar që do vlerësohen. Dëmi është shumë i madh. Dëmet që na u kanë bo pe shoh që s’janë t’u u marrë parasysh. Minimumi dëmi 20 mijë euro ka qenë, kemi investu vazhdimisht”, ka thënë Rizvani.
Si shumë familje të dëmtuara, ai shprehet i zhgënjyer nga pritja pa rezultat.
DEK: Hajriz Rizvani – I dëmtuar nga vërshimet
“Krejt janë pa u kompensu. Nuk e di si shtet, falë zotit kemo shtet po për mbikqyrje të njerëzve nuk është sa duhet. Nuk po punojnë. Qe një muj e disa ditë jam jashtë shtëpisë, duhet të kenë më shumë interes si komuna si personat që janë të kësak fushe. Jam shumë i zhgënjyer, ishalla si ndodhë kujt”, ka shtuar Rizvani.
Sipas Ligjit për mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera, vlerësimi i dëmeve në rast të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera dhe përgatitja e propozimeve për rimëkëmbje nga fatkeqësitë e tilla, bëhet nga komisionet në nivel qendror dhe lokal dhe bazuar në të, qytetarët gëzojnë të drejtë kompensimi.
Për vërshimet e vitit 2023, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal kishte dorëzuar në Qeveri raportin për miratim përfundimtar.
Pavarësisht interesimit të Dukagjinit, Qeveria në detyrë nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e televizionit për këtë çështje dhe se kur do të kompensohen qytetarët.
