Komuna e Lipjanit ka reaguar pas akuzave të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të kësaj komune, Ilir Qeriqi, lidhur me tenderin “Renovimi dhe mirëmbajtja e dyshemeve në IEA”.
Sipas njoftimit, Drejtoria e Prokurimit Publik thekson se kontrata është zhvilluar përmes procedurës së hapur në sistemin e E-Prokurimit, ku janë pranuar gjashtë oferta, ndërsa është shpërblyer operatori ekonomik me ofertën më të lirë dhe të përgjegjshme.
Komuna ka sqaruar se procesi është kryer në përputhje të plotë me Ligjin për Prokurimin Publik dhe rregulloret përkatëse, ndërsa pretendimet për konflikt interesi i ka cilësuar si të pabazuara, pasi operatori ka dorëzuar dëshmitë e nevojshme ligjore.
“Interpretimi nga kandidati i VV është tërësisht jo profesional dhe për konsum të fushatës elektorale me tendencë të dezinformimit të publikut. Ne jemi në zbatim dhe në përputhje të plotë të dispozitave ligjore pavarësisht tendencave për keqinterpretim. Asnjë dispozitë ligjore apo normë nuk e përjashton nga parimi dhe trajtim i barabartë cilido ish- zyrtar që të jetë konkurrues me cilin do Operator Ekonomik”, thuhet në reagimin e Komunës së Lipjanit.
Po ashtu, komuna ka theksuar se tendenca e anatemimit dhe akuzave publike kundrejt zyrtareve të Administratës pa asnjë provë dhe fakt është e papranueshme dhe tendencioze.