Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Mitrovicë të Veriut, i dyshuar për veprën penale “vrasje në tentativë”, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur edhe armë, mjete eksplozive dhe substanca narkotike.
Sipas policisë, rasti është raportuar më 6 mars rreth orës 21:20, pasi Spitali Rajonal në Mitrovicë të Veriut ka njoftuar se një person ishte pranuar për trajtim mjekësor me plagë të shkaktuara nga një mjet i mprehtë, njofton Dukagjini.
Siç bën të ditur Policia, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në rrugën “Anri Dinan”, pas një mosmarrëveshjeje verbale lidhur me një çështje qiradhënieje.
Sipas dyshimeve, tre persona kanë dalë nga një veturë me targa të huaja, fillimisht e kanë rrahur viktimën dhe më pas njëri prej tyre e ka therur me thikë katër herë në këmbën e majtë dhe një herë në stomak.
Policia, përmes veprimeve operative, ka arritur të identifikojë automjetin e përdorur nga të dyshuarit, i cili ishte i parkuar në afërsi të vendit të ngjarjes dhe më pas është sekuestruar.
Më pas është identifikuar edhe vendndodhja e njërit prej të dyshuarve. Policia ka ndërhyrë në lokacionin ku ai ndodhej dhe ka bërë arrestimin e tij, pasi i njëjti kishte tentuar të largohej. Arrestimi është bërë në adresën e banimit të familjarëve të tij në Mitrovicë të Veriut.
Gjatë kontrollit në banesë, policia ka gjetur edhe thikën që dyshohet se është përdorur në rast, si dhe një sërë armësh, municionesh dhe pajisjesh të tjera, përfshirë një armë automatike AK-47 me municion, një granatë dore, antiplumb, shok-bomba, thika, si dhe pajisje që dyshohet se shërbejnë për përgatitjen dhe paketimin e narkotikëve.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive, të cilat i kanë tërhequr mjetet në mënyrë të kontrolluar.
I dyshuari, B.I. (2000), është shoqëruar në stacionin policor dhe në prani të avokatit mbrojtës ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje. Me urdhër të prokurorit të shtetit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Policia ka bërë të ditur se edhe dy persona të tjerë dyshohet se janë të përfshirë në rast dhe aktualisht janë në arrati, ndërsa po vazhdojnë përpjekjet për arrestimin e tyre.
Ndaj të dyshuarit janë iniciuar veprat penale “vrasje në tentativë”, “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve”.
Dukagjini edhe mbrëmë ka raportuar për këtë rast.