Shtetasi i Kosovës, Nezir Mehmetaj është dënuar nga Gjykata e Lartë e Serbisë me gjashtë vjet burgim, nën akuza për krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Rudicë të Klinës më 1999. Ekipi i tij mbrojtës ka paralajmëruar se do ta apelojë këtë vendim.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas dënimit me 6 vjet burgim të Nezir Mehmetajt nga gjykata në Serbi.
Ai e ka quajtur dënimin padrejtësi dhe ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin ndaj Serbisë “kundër kësaj padrejtësie”.
“E dënoj fuqishëm këtë padrejtësi dhe kërkoj nga bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin ndaj Serbisë, me zë të qartë kundër kësaj padrejtësie dhe në mbështetje të të drejtave të njeriut”, ka shkruar Konjufca.
Ai procesin gjyqësor ndaj Neziraj e ka quajtur të shpikur e arbitrar.
“Sot, pas një arrestimi në vitin 2020, pas një akuzimi dhe procesi të shpikur e arbitrar ndaj qytetarit tonë Nezir Mehmetaj, gjykata në Serbi e ka dënuar atë me 6 vite burg. Mendësia e vjetër e Serbisë që ka kryer gjenocid në Kosovë nuk mund të prodhojë asgjë të re veçse fshehjes së krimeve në njërën anë dhe shpikjes së tyre në anën tjetër. E dënoj fuqishëm këtë padrejtësi dhe kërkoj nga bashkësia ndërkombëtare të rrisë presionin ndaj Serbisë, me zë të qartë kundër kësaj padrejtësie dhe në mbështetje të të drejtave të njeriut”, ka shkruar Konjufca.