Përfaqësuesja e Kosovës është ngjitur në pozitën e 91-të në renditjen e re të FIFA-s, të publikuar të enjten (18 shtator 2025). Ky është pozicioni më i lartë ndonjëherë në historinë e saj.
“Dardanët” fituan ndaj Suedisë në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe më pas u mposhtën nga Zvicra në Basel, në dy ndeshjet e shtatorit për kualifikueset e Botërorit 2026. Pas këtyre rezultateve, Kosova fitoi tri vende krahasuar me ranglistën e kaluar (nga 94 në 91), duke grumbulluar gjithsej 1262 pikë.
Në grupin kualifikues, pas dy ndeshjeve, Zvicra kryeson me gjashtë pikë, Kosova renditet e dyta me tri pikë, ndërsa Suedia dhe Sllovenia kanë nga një.
Ndeshja e radhës për Kosovën do të luhet më 10 tetor në Prishtinë kundër Sllovenisë, ku stadiumi “Fadil Vokrri” pritet të jetë i mbushur plot, pasi biletat u shitën brenda pak orësh. Tri ditë më pas, Kosova do të udhëtojë në Suedi.