Delegacioni i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka zhvilluar konsultime politike në Dublin, në prag të Presidencës irlandeze të Bashkimit Evropian.
Delegacioni i Republikës së Kosovës u kryesua nga Drejtori i Departamentit për Evropë, BE dhe Rajon, Mentor Tahiri, ndërsa pala irlandeze u udhëhoq nga Drejtori për Zgjerim dhe Njësinë për Evropën Juglindore, Frank Smyth.
“Delegacioni i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Drejtori i Departamentit për Evropë, BE dhe Rajon, z. Mentor Tahiri, zhvilloi një vizitë zyrtare në Dublin, ku u prit nga përfaqësuesit e palës irlandeze, të udhëhequr nga Drejtori për Zgjerim dhe Njësinë për Evropën Juglindore, z. Frank Smyth. Takimi shënoi një moment të rëndësishëm në avancimin e dialogut politik dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve.
Gjatë konsultimeve, palët diskutuan mbi zhvillimet e përgjithshme në Kosovë dhe Irlandë, marrëdhëniet bilaterale dhe avancimin e tyre, procesin e integrimit evropian të Kosovës, zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe sfidat globale të sigurisë. Po ashtu, u theksua rëndësia e bashkëpunimit shumëpalësh në kuadër të organizatave dhe forumeve ndërkombëtare.
Takimi i zhvilluar në prag të Presidencës irlandeze të BE-së, konfirmoi përkushtimin e përbashkët për forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Irlandës, si dhe për vazhdimin e dialogut të rregullt politik në funksion të stabilitetit, sigurisë dhe avancimit të agjendës evropiane”, thuhet në njoftim.