Kosova dhe Serbia dakordohen për komisionin për personat e zhdukur

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në rundin e ri të dialogut Kosovë-Serbi në nivel kryenegociatorësh, ku temë qendrore ka qenë funksionalizimi i komisionit të përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Pas përfundimit të takimeve, Bislimi deklaroi se pjesa më e madhe e kohës ka kaluar në bisedime bilaterale me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe Serbisë.

“Pjesa më e madhe e kohës sot ka kaluar në takime bilaterale, domethënë fillimisht pala kosovare me Bashkimin Evropian dhe pastaj edhe pala serbe. Qëllimi ishte që të arrijmë dakordim që sot ta funksionalizojmë Komisionin e Përbashkët për jetësimin apo zbatimin e marrëveshjes për personat e pagjetur në mes të Kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq.

Takimet ishin të suksesshme dhe në fund arritëm që përfundimisht ta jetësojmë këtë objektiv. Tani ka mbetur që në javët e ardhshme të takohen zëvendësat tanë dhe të përcaktojnë prioritetet e para për punën e Komisionit të Përbashkët”, tha Bislimi.

Ai shtoi se në javët në vijim, zëvendësit e palëve do të përcaktojnë prioritetet e para për punën e Komisionit.

Bislimi po ashtu bëri të ditur se kjo ka qenë tema kryesore e takimeve, ndërsa janë diskutuar edhe pika të tjera që do të marrin lëvizje pas formimit të qeverisë së re në Kosovë.

“Kjo temë ka qenë tema kryesore. Natyrisht se në pika të shkurtra janë prekur edhe elemente të tjera ku priten lëvizje në të ardhmen pas formimit të qeverisë, mirëpo pjesa më e madhe e kohës i është kushtuar jetësimit të Komisionit për zbatimin e Marrëveshjes për Personat e Zhdukur me Dhunë”, ka shtuar Bislimi.

Të fundit nga rubrika