Kosova pret Kampionatin Evropian U-21 në Taekwondo: 38 shtete marrin pjesë, përfshirë edhe Rusinë

Kampionati Evropian U-21 në Taekwondo po afron, dhe Kosova po përgatitet të mirëpresë në Prishtinë një prej ngjarjeve më të rëndësishme sportive të vitit. Drejtuesit e Federatës së Taekwondos, në një prononcim për KosovaPress, shpalosën përmasat e këtij eventi, pritjet sportive dhe rëndësinë e tij diplomatike, pasi në garë do të marrin pjesë edhe shtete që ende nuk e njohin Kosovën – përfshirë edhe Rusinë.

Kryetari i Federatës së Taekwondos, Arsim Agushi, u shpreh se përgatitjet organizative po zhvillohen sipas planit dhe se gara do të ketë pjesëmarrje rekord.

“Sa i përket Kampionatit Evropian U-21, i cili do të mbahet prej datës 11–14 dhjetor në Prishtinë, në palestrën ‘1 Tetori’, ne si federatë jemi të organizuar deri tani. Pritet pjesëmarrja e mbi 700 pjesëmarrësve me 509 atletë, duke përfshirë delegacionet dhe ekipet referuese… Për këtë event kemi caktuar palestrën ‘1 Tetori’, e cila i plotëson kushtet”, tha Agushi.

Ai theksoi pritjet sportive dhe synimet e Kosovës si nikoqir, duke nënvizuar motivimin e sportistëve vendas për rezultate të larta.

“Ne si nikoqirë e kemi ekipin tonë, sportistët tanë të cilët pretendojnë për medalje. Qëllimi ynë është ai. E kemi një përparësi që jemi nikoqirë dhe vendas – kjo është një plus për ne. Kemi një medalje evropiane të vendit të dytë nga Kampionati Evropian U-21, e Bleron Ademit, i cili ka ndikuar shumë. Edhe sportistët tjerë, me rezultatet e tyre në arenën ndërkombëtare, tregojnë se kemi një ekip premtues”, deklaroi Agushi.

Ai shtoi se pjesëmarrja e 38 shteteve, përfshirë vende që nuk e njohin Kosovën, si Rusia, është një fitore e rëndësishme e diplomacisë sportive dhe një dëshmi e hapjes së vendit karshi sportit ndërkombëtar. Agushi theksoi se siguria e atletëve është prioritet dhe se bashkëpunimi me institucionet e rendit është i plotë, duke kujtuar se Kosova ka dëshmuar vazhdimisht se është vend i sigurt dhe mikpritës për ngjarje të këtij niveli.

Ndërkohë, sekretari i Federatës, Muhamed Gashi, vuri në pah standardet dhe infrastrukturën sportive, duke e cilësuar organizimin e këtij kampionati si dëshmi se Kosova është e gatshme të presë ngjarje madhore ndërkombëtare.

Në këtë kampionat pritet të garojnë mbi 500 atletë dhe, së bashku me stafin përcjellës, numri i pjesëmarrësve do të kalojë 700 vizitorë.

Shija e redaktorit

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Dukagjini Resort dhe The Northern prezantohen në panairin më të...

Projekti Dukagjini Resort së bashku me The Northern do të marrin pjesë në MIPIM Cannes, panairin më të madh ndërkombëtar patundshmërisë në botë. Projekti do...

“Dukagjini” mbajti seminarin “mirëqenia psikologjike e mësimdhënësve dhe vetëkujdesi”

Qindra mësimdhënës nga shkolla të ndryshme nga mbarë vendi u bashkuan në seminarin e organizuar nga shtëpia botuese “Dukagjini”, me temë “Mirëqenia psikologjike e...

Të fundit nga rubrika