Meliza Haradinaj, këshilltare e presidentes së vendit, Vjosa Osmani, vlerëson se dita djeshme ku Kosova ishte anëtare themeluese e Bordit të Paqes është historike.
Haradinaj, e ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se Kosova është ngritur në nivel shumë të lartë të subjektivitetit ndërkombëtarë.
“Me të drejtë është cilësuar dje edhe nga mediat ndërkombëtare edhe nga ato kombëtare si një ngjarje ndër më të rëndësishme që nga shpallja e Pavarësisë. Mendoj se është një ngjarje e cila e ka forcuar në një nivel shumë më të lartë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës – është një ngjarje ku Kosova për herë të parë del nga rrethi i objektit ndërkombëtarë dhe bëhet subjekt në tavolinat ku bashkëprojektohen rregullat e rendit ndërkombëtarë – si iniciativë rrjedh nga SHBA-ja, aleati jonë kryesor dhe me të drejtë populli i Kosovës e mbështeti këtë iniciativë”.
“Kosova është anëtare themeluese – imagjinoni një fotografi kur është themeluar OKB-ja ose Lidhja e Kombeve dhe Kosova është ndër themeluese e para të kësaj organizate – nuk mendoj që ka dikush dyshime se a do të vazhdojë kjo iniciativë dhe padyshim se do të bëhet një ndër organizata më të fuqishme ndërkombëtare”, u shpreh Haradinaj.
Haradinaj, mes tjerash, vlerëson se pjesëmarrja e Osmanit si e vetmja lidere grua në Bordin e Paqes, iniciativë kjo e presidentit amerikan, Donald Trump, është një moment shumë i rëndësishëm dhe ditë historike për Kosovën.
“Është një moment shumë i rëndësishëm dhe dje ishte një ditë historike dhe padyshim se prezenca e Osmanit aty dhe respekti që iu bë aty si e vetmja lidere grua – por jo vetëm për këtë pasi e kemi parë edhe më herët se si është sjell Trump me lidere gra pasi dihet se është më jo-protokollar në raste të tilla. Por, e pam një respekt të jashtëzakonshëm dhe tëjet të afërm e miqësor me Osmanin dhe kjo padyshim rrjedh edhe nga historia e Kosovës që gjithmonë e pas pas rreshtimin krah SHBA-së gjithmonë. Qëllimi i kësaj organizate është fisnik – arritja e paqes globale dhe kemi parë përpjekjen e Trump që kanë qenë të orientuara në disa zona me luftëra dhe kujt më shumë se Republikës së Kosovës i takon që të bëhet anëtare themeluese e kësaj organizate pasi ne jemi rezultat i intervenimit të SHBA-së – që vendosi të angazhohet kundër regjimit gjenocidal të Millosheviqit dhe u arrit paqja”, u shpreh Haradinaj.
Haradinaj, mes tjerash, bëri të ditur se para ratifikimit të Kuvend për këtë marrëveshje ndërkombëtare, Osmani do t’i ftojë partitë politike një e nga një për takimet në Amerikë dhe gjithçka tjetër rreth nënshkrimit dhe Bordit të Paqes.
