Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) ka paralajmëruar reduktime të energjisë elektrike në vend.
Sipas njoftimit të KOSTT-it bëhet e ditur se kjo do të ndodh për të garantuar funksionimin e sigurt të sistemit elektro-energjetik si dhe për të mbrojtur integritetin e rrjetit, njofton Dukagjini.
“KOSTT, në përputhje me rolin e tij si operator i sistemit dhe i tregut, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për stabilizimin e sistemit, përfshirë aktivizimin e shërbimeve ndihmëse të balancimit si dhe organizimin e ankandeve brendaditore për balancimin e sistemit. Megjithatë, për shkak të diferencës jashtëzakonisht të madhe ndërmjet nominimeve dhe konsumit real, masat e ndërmarra nuk kanë qenë të mjaftueshme për të eliminuar jo balancat në nivelin e krijuar”.
“Këto devijime po ndikojnë negativisht në rrjetin interkonektiv evropian, rrisin ndjeshëm rrezikun për stabilitetin e sistemit dhe mund të sjellin pasoja serioze për KOSTT-in, përfshirë masa ndëshkuese dhe rrezikim të Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E. Në këto rrethana, për të garantuar funksionimin e sigurt të sistemit elektroenergjetik dhe për të mbrojtur integritetin e rrjetit, KOSTT është i detyruar të aplikojë kufizimin e ngarkesës (reduktime), sipas nevojës dhe në përputhje me përgjegjësitë ligjore dhe operative” thuhet në njoftimin e KOSTT-it.
Megjithatë, në njoftim bëhet e ditur se me përmirësimin e situatës dhe stabilizimin e balancimit, KOSTT do të ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme për stabilizim të sistemit.