Gjendja në sistemin elektroenergjetik të Kosovës është stabilizuar pas ndërhyrjeve të koordinuara për balancimin e ngarkesës dhe rritjes së prodhimit vendor të energjisë elektrike.
Kështu ka bërë të ditur Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), duke njoftuar se masat e ndërmarra kanë përmirësuar furnizimin dhe kanë mundësuar ndërprerjen e reduktimeve.
“KOSTT njofton se gjendja në sistemin elektroenergjetik është stabilizuar pas masave të koordinuara për balancimin e ngarkesës dhe përmirësimin e furnizimit me energji elektrike.
Mungesat e furnizimit nga KESCO janë plotësuar nga KEK me hyrjen në operim të bllokut B2, duke kontribuar në stabilitetin e furnizimit dhe ruajtjen e integritetit të sistemit, si dhe duke mundësuar ndërprerjen e kufizimit të ngarkesës (reduktimeve).
KOSTT u bën thirrje të gjitha palëve në treg të respektojnë rregulloret dhe të sillen me përgjegjësi, për të siguruar operim të qëndrueshëm dhe të sigurt të rrjetit.
KOSTT mbetet në gatishmëri dhe do të vazhdojë monitorimin e sistemit, duke ndërmarrë masat e nevojshme sipas kompetencave ligjore”, thuhet në njoftim.