Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka reaguar pas shqetësimeve të ngritura lidhur me zhvillimet në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicën e Jugut, duke sqaruar se problemi i evidentuar me disa fletëvotime është rezultat i një gabimi teknik gjatë shtypjes.
Sipas njoftimit zyrtar, bazuar në informatat e pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut, është konstatuar se në disa prej dengjeve të fletëvotimeve ka ndodhur një gabim në shtypjen e kodit të vendvotimit.
KQZ ka njoftuar se ka komunikuar me kompaninë përgjegjëse për shtypjen e fletëvotimeve, e cila ka pranuar mundësinë që gabimi të ketë ndodhur në printerin mekanik që vulos të dhënat variabile. Kompania ka konfirmuar se në ditët në vijim do të përgatisë një sqarim zyrtar lidhur me këtë rast.
Institucioni thekson se numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të shtypura është evidentuar saktë dhe për çdo vendvotim fletëvotimet kanë numra serikë që përputhen me listat amë të verifikuara në Mitrovicën e Jugut dhe Gjakovë.
“KQZ siguron publikun, votuesit dhe të gjithë akterët e përfshirë në procesin zgjedhor se ky gabim teknik nuk ndikon në asnjë mënyrë në integritetin e procesit të votimit apo të numërimit të votave, pasi fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që garantojnë se ato nuk mund të falsifikohen apo kopjohen”, thuhet në sqarimin e KQZ-së ka thënë zëdhënësi i saj Valmir Elezi.
“E kemi ndalë numërimin” – Prokurori Peci thotë live në Debat Plus