Ata të cilët do të mbushin 18 vjet me 8 nëntor do të futën në listën e votuesve për të hedhur për herë të parë votën e tyre në zgjedhje e raundit të dytë për kryetar të komunave, raporton Ekonomia Online. Ndërsa, ata që kanë ndërruar jetë por edhe ata që hoqën dorë nga shtetësia gjatë kësaj kohe do të largohen nga lista e votueseve.
Një sqarim për këtë e kërkoi anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosje, Sami Kurteshi.
“Votues fëmijë që në ndërkohë jetojnë jashtë, a i ka shti dikush në listë. Se ata nuk janë në listën e votimit të rregullt se nuk i kanë pasë 18 vjet, deri në ditën e votimit kur i bie deri me 8, i mbushin 18 vjet. Çka ndodhë me ata? Unë nuk e kam atë problem se e kam të drejtën e votës, për ata?”, pyet Kurteshi.
Kësaj pyetje i është përgjigjur anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani i cili ka sqaruar në detaje.
“Edhe këtë çështje e kemi trajtuar me rregulla zgjedhore për listën votuese, dhe e kemi paraparë që personat që i mbushin 18 vjet, do të përfshihen në listën përfundimtare të votueseve që nuk është shumë i lartë por do të përfshihen në listën e votueseve në raundin e dytë. E ata që jetojnë jashtë dhe i mbushin 18 vjet gjatë kësaj kohe e kanë mundësinë me ardh me bo sefte votimin këtu. Ndërsa personat të cilët gjatë kësaj periudhe kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës ose kanë ndërruar jetë do të largohen nga lista votuese”, tha Elshani.
Më 9 nëntor do të mbahet balotazhi në disa komuna, të cilat nuk mund të ishin fituese nga zgjedhjet lokale të 12 tetorit.