Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka marrë vendim që të rinumërohen të gjitha votat në 28 komunat e Kosovës, pas parregullsive të evidentuara gjatë procesit të deritanishëm të rinumërimit.
Vendimi u mor pasi rinumërimi i pjesshëm nxori në pah mospërputhje dhe keqpërdorime në disa komuna, veçanërisht në numërimin e votave për kandidatë brenda subjekteve politike.
Po ashtu, me 11 vota pro, KQZ-ja ka vendosur për shkarkimin e përfaqësuesve të subjekteve politike në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Prizren.
Sipas kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, raportet nga rinumërimi tregojnë se votat e subjekteve politike kanë pësuar ndryshime minimale dhe pothuajse të papërfillshme, çka “nënkupton se rezultatet e partive janë paraqitur saktë”.
Ndryshe paraqitet situata te votat e kandidatëve, ku sipas tij, janë evidentuar pasaktësi të theksuara në numërim, me mijëra vota të zbritura apo të shtuara pas rinumërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“Sipas raportit nga vendvotimet e rinumëruara në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, rezulton se pas rinumërimit në QNR janë zbritur nga rezultati 36,007 vota për kandidatë, të cilat u ishin regjistruar atyre në QKN. Po ashtu, pas rinumërimit u janë shtuar 20,978 vota kandidatëve, të cilat nuk ishin regjistruar saktë në QKN. Ndryshimi në numrin e votave të kandidatëve pas rinumërimit tregon se procesi i numërimit të votova të kandidatëve brenda subjekteve politike ka pasur pasaktësi, analiza numerike e veçon Prizrenin si rastin më ekstrem”, ka deklaruar Radoniqi.
KQZ kishte vendosur më herët që në 10 komuna të bëhet rinumërimi i plotë i 100 për qind të vendvotimeve, përkatësisht në Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillugu, si pjesë e përpjekjeve për të garantuar saktësinë e rezultateve dhe ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor.
Dyshimet për manipulim të votave, Prokuroria e Shtetit nis grumbullimin e provave