Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka mirëpritur vendimin e Kushtetueses për moskonstitutimin e Kuvendit të Kosovës.
Me anë të një postimi në Facebook, Krasniqi ka deklaruar se një vendim i tillë mbetet provë se vendimet e Kushtetueses ishin antikushtetuese.
“Ky është konfirmim i plotë se bllokada, shkeljet dhe veprimet arbitrare të Lëvizjes Vetëvendosje ishin jo vetëm antikushtetuese, por edhe thellësisht të dëmshme për demokracinë dhe shtetin tonë. Për gjashtë muaj, qytetarëve iu mohua përfaqësimi, institucioneve iu ndal funksioni, e vendit iu imponua stagnimi. Përballë kësaj sjelljeje, ne zgjodhëm rrugën e maturisë, ligjshmërisë dhe besimit në Kushtetutë. Si Grup Parlamentar i PDK-së, e ndërmorëm këtë nismë me përgjegjësi të plotë ndaj qytetarëve dhe rendit kushtetues. Me besim të palëkundur në të drejtën dhe në Kushtetutën e vendit, iu drejtuam Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë fund kësaj krize të qëllimshme dhe të rrezikshme për demokracinë”, ka shkruar Krasniqi.
Mes të tjerash, Krasniqi ka thënë se ky vendim duhet të shërbejë si mësim.
“Kosova nuk mund të ecë përpara me institucione të paralizuara dhe me rregulla të shkelura sipas tekave të pushtetit. Prandaj, le të jetë ky një mësim i qartë për të gjithë, e veçanërisht për ata që nuk kanë ditur kurrë ta respektojnë shtetin: Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe për lidership që respekton rregullat, jo që i shkel ato për pushtet. Ne do të jemi gjithmonë në anën e Kushtetutës dhe të qytetarëve.Ky vendim është fitore për rendin kushtetutes, për Kuvendin dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ata që zgjodhën krizën, dështuan. Ne që zgjodhëm Kushtetutën, fituam.”, ka shkruar ai.
Përfaqësuesi i grupit më të madh parlamentar të propozojë kandidatin i cili do zgjedhet përmes votimit të hapur, votim i cili mund të realizohet vetëm deri në tri herë për kandidatin e njëjtë.
Ky është vendimi që ka marrë Gjykata Kushtetuese pas moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës për 54 tentativa.