Ish-ushtari i UÇK-së, Dradan Krasniqi, ka folur për përvojën e tij gjatë luftës, duke theksuar vështirësitë dhe sakrificat me të cilat janë përballur luftëtarët.
Në Debat Plus, ai tha se Malisheva, si zonë e lirë ku ndodhej edhe Shtabi i Përgjithshëm, ka qenë një nga qendrat kryesore të aktivitetit të UÇK-së.
Sipas tij, në të gjitha shtabet e UÇK-së kanë qenë të pranishëm edhe monitorues ndërkombëtarë, përfshirë përfaqësues të Ambasadës Amerikane dhe të OSBE-së, ndërsa në Malishevë ka pasur edhe zyrë të ish-diplomatit amerikan, William Walker.
Krasniqi theksoi se UÇK-ja ka pasur strukturë komanduese, por shtoi se lufta, sipas tij, ka qenë e pastër dhe e drejtë.
“Na Malishevë që ka qenë zonë e lirë që ka qenë shtabi i përgjithshëm aktiviteti i tyre ka qenë më së shumti në atë zonë. Në secilin shtab të UÇK-së, ka pasur monitorues të ambasadës amerikane ka pasur edhe të OSBE në Malishevë ka qenë edhe zyre e William Wolker… Ne kemi pasur një lloj komande por nuk duhet me frikësu kjo se nuk kemi bërë asgjë më shumë sesa luftë të pastër edhe të drejtë”, ka thekauar ai.
Ai përmendi edhe vështirësitë në komunikim dhe mungesën e informacionit gjatë luftimeve, duke thënë se shpeshherë nuk e dinin nëse bashkëluftëtarët ishin gjallë apo jo.
“Në rrugëtimin tonë në luftën që është bërë kemi pasur shumë pengesa shumë shkëputje të komunikimit, nuk e kemi ditur a i kemi shokët gjallë, ke dalë në një betejë ke përfunduar në një regjion tjetër… Shumë herë më vjen keq ta them që kemi qenë në luftë nuk kemi mundur të mbronim, e kam pa nënën time e ka pasur gjyshen në krah duke e larguar prej fshatit edhe kam qenë i pafuqishëm me mbrojt, kam parë në një fshat që s’po e përmend emrin kam parë është e dhimbshëm edhe në çfarë gjendje i kam parë mbi 40 femra të përdhunuara, do të thotë rrugëtimi nuk ka qenë i lehtë”, ka deklaruar ai.
