Ish-deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka reaguar ashpër qeverisë në detyrë dhe deputetëve të VV-së, duke i akuzuar për dëm të madh ndaj interesave të Kosovës.
Në një postim publik, ajo ka thënë se “këta njerëz çdo ditë po e dëshmojnë që janë të pafytyrë dhe po e dëmtojnë rëndë vendin”, duke i cilësuar veprimet e tyre si të patolerueshme dhe në kundërshtim me interesin e qytetarëve.
“Këta njerëz çdo ditë po e dëshmojnë që janë të pafytyrë dhe po e dëmtojnë rëndë vendin.
Kjo është e patolerueshme dhe këta deputetë vetëm interesat e popullit nuk i përfaqësojnë. Kjo mendësi i ka sjellë vendit masat që i kemi nga BE-ja, humbjen e fondeve dhe investimeve evropiane. Kryeministri Kurti dhe të gjithë vartësit e tij po i shkatërrojnë marrëdhëniet tona me ShBA dhe po sjellin sanksione nga vendet mike të BE-së.
Sa më parë duhet të largohen nga pozitat shtetërore këta amaterë politik.
Populli i Kosovës ka besim të plotë ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe Ambasada e Amerikës është e shenjtë për çdo qytetar të vendit”, ka shkruar Krasniqi.
Reagimi i Krasniqit erdhi pas një deklarate të deputetes së VV-së, Arbrëshe Kryeziu-Hyseni, e cila aludoi se e ngarkuara me punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati, mund të ketë vizituar gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese një ditë para publikimit të aktgjykimit.
“E nderuara zonja Prattipati, nuk është mirë nëse i keni vizituar një ditë para se gjyqtarët e Kushtetueses të vetëposhtëroheshin me këtë njoftim për Aktgjykimin”, ka shkruar Kryeziu.