Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka deklaruar se Qeveria në detyrë nuk mund të propozojë projektligje për legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës, përfshirë edhe Projektligjin për Buxhetin Vjetor.
Ai thekson se një veprim i tillë do të përbënte shkelje të qartë të Rregullores së Punës së Kuvendit, pasi legjislatura e re nuk ka ende një qeveri të saj që të zbatojë ligjet.
Në një reagim në Facebook, Krasniqi ka theksuar se ndarja e qartë e kompetencave mes institucioneve është thelbësore për funksionimin demokratik të shtetit.
“Qeveria në detyrë – e zgjedhur nga legjislatura paraprake – nuk mund të propozojë Projektligjin për Buxhetin Vjetor për legjislaturën e re.
Kuvendi, që ende nuk ka zgjedhur qeverinë e re, nuk mund të miratojë ligje pa pasur qeverinë e vet që t’i zbatojë.
Rregullorja e Kuvendit parashikon që projektbuxheti të shqyrtohet nëpër komisione parlamentare – komisione që ende nuk janë themeluar.
Çdo shmangie nga kjo procedurë është shkelje e qartë e Rregullores. Neni 123 lejon vetëm shmangie nga afatet procedurale, por jo nga veprimet thelbësore si shqyrtimi në komisione apo propozimi nga qeveria legjitime.
Duhet bërë qartë dallimi mes qeverisë në dorëheqje dhe qeverisë në detyrë:
– Qeveria në dorëheqje është ajo që gjatë mandatit të saj, pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kryeministrit, vazhdon të ushtrojë funksionet deri në formimin e qeverisë së re, duke pasur ende Kuvend funksional, komisione të themeluara dhe kanale komunikimi Qeveri–Kuvend.
– Ndërsa qeveria në detyrë është qeveri e zgjedhur nga legjislatura paraprake, që nuk ka lidhje institucionale me legjislaturën e re të dalë nga zgjedhjet.
Albin Kurti dhe Hekuran Murati, si anëtarë të Qeverisë në detyrë, nuk mund të propozojnë buxhetin për miratim në Kuvendin ku Albin Kurti dhe Hekuran Murati janë deputetë, pasi kjo bie ndesh me parimin e ndarjes së pushteteve dhe parandalimin e konfliktit të interesit të mbrojtur nga Kushtetuta.
Prandaj, sipas Ligjit për Qeverinë, qeveria në dorëheqje mund të propozojë projektligjin për buxhetin, ndërsa kjo e drejtë nuk i njihet qeverisë në detyrë.
Respektimi i procedurave nuk është formalitet – është thelbi i ndarjes së pushteteve dhe i funksionimit demokratik të institucioneve”, ka shkruar Krasniqi.