Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se të dielën, më 14 shtator, në Hagë do të organizohet një protestë në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-luftëtarëve të saj që po gjykohen nga Gjykata Speciale.
Në një reagim në Facebook, Krasniqi tha se strukturat e PDK-së në mërgatë, aktivistë e qytetarë nga diaspora dhe Kosova do të marrin pjesë në këtë protestë për të ngritur zërin ndaj, siç e quajti ai, gjykimeve të padrejta ndaj çlirimtarëve.
“Të dielën, më 14 shtator, në Hagë, protestojmë për drejtësi.
Strukturat e PDK-së në mërgatë, aktivistë dhe qytetarë nga diaspora e nga Kosova, do të jenë aty për të ngritur zërin për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për çlirimtarët tanë që po gjykohen padrejtësisht.
Kjo protestë është thirrje për të vërtetën dhe për drejtësinë që u takon atyre që sakrifikuan gjithçka për lirinë tonë.
Procesit në Hagë po i afrohet fundit, dhe populli i Kosovës pret me besim lirimin e shpejtë të heronjve të saj.
UÇK-ja ishte dhe mbetet themeli i lirisë sonë.
Sot, më shumë se kurrë, kemi detyrë të qëndrojmë të bashkuar për ta mbrojtur nderin e saj dhe për të kërkuar drejtësi të barabartë për të gjithë.
Bashkohu edhe ti për drejtësi!”, ka shkruar Krasniqi.
