Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i është kundërpërgjigjur kritikave për ndarjen e shtesave prej 100 euro për fëmijë e pensionistë në ditët e fundit të fushatës zgjedhore.
Kurti, në një prononcim për media gjatë një vizite në stadiumin e futbollit në Shtime, u shpreh se ky vendim nuk është diçka e re, transmeton Dukagjini.
“A kanë qenë ato shtesa edhe vitin e kaluar? A kanë qenë edhe para vitit të kaluar? Çdo herë para Vitit të Ri, kur kemi dimër e kemi festa, ne i gëzojmë të moshuarit dhe fëmijët. Nuk ka asgjë të re në këtë aspekt. E re është qeverisja jonë, e cila do të vazhdojë edhe mandatin e tretë”, ka thënë ai.
Kujtojmë se Qeveria në detyrë dje mori vendimin për shpërndarjen e 100 eurove, të cilat do të ekzekutohen më 29 dhjetor një ditë pasi të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare – vendim ky i cili shkaktoi reagime të shumta në opinionin publik.