Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, u ka bërë thirrje qytetarëve polakë që ndodhen në Iran të largohen sa më shpejt, duke paralajmëruar se situata e sigurisë është jashtëzakonisht e brishtë.
Ai theksoi se në asnjë rrethanë nuk rekomandohet udhëtimi drejt këtij vendi, pasi rreziku i një përshkallëzimi të konfliktit është shumë i lartë.
Sipas tij, zhvillimet mund të marrin kthesë dramatike brenda pak orësh apo ditësh, duke e bërë të pamundur evakuimin nëse situata del jashtë kontrollit. Tusk nënvizoi se përvoja e mëparshme ka treguar se injorimi i paralajmërimeve të tilla mund të ketë pasoja serioze.
Ai u bëri apel qytetarëve që ta marrin seriozisht thirrjen e autoriteteve, të largohen menjëherë nga Irani duke shtuar se në rast të shpërthimit të një konflikti të hapur, nuk do të mund të garantohet një dalje e sigurt.
“Ju lutem merreni seriozisht këtë. Në të kaluarën, kemi pasur përvoja negative me njerëz që injoruan paralajmërime të tilla. Kjo është arsyeja pse dua ta theksoj përsëri: largohuni menjëherë nga Irani ose anuloni planet tuaja të udhëtimit. Nëse shpërthen një konflikt i hapur, askush nuk do të jetë në gjendje t’ju garantojë një dalje të sigurt”, tha Tusk në një konferencë për media.
