Kryesia e Kuvendit të Kosovës, të premten e tetë korrikut duke filluar nga ora 13:00, do të mblidhet për të diskutuar mbi pikat e papërfunduara nga disa seanca, si dhe përgatitjet për seancën e re plenare.
Në rend dite do të jetë votimi në lexim të dytë i projektligjit për deklarimin e pasurisë dhe votimi i Raportit vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021.
Në këtë mbledhje do të votohet edhe raporti vjetor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për vitin 2021.
Ndërsa, pikat e tjera që do të diskutohen janë:
- Deklarimet jashtë rendit të ditës,
- Pyetjet parlamentare,
- Shqyrtimi i Raportit vjetor financiar i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021.
- Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-150 për ratifikimin e Traktit mbi Ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane,
- Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-103 për Sistemin e menaxhimit të performancës së komunave dhe skemën e grantit të bazuar në performancë.