Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Kryetari i ri i Kuvendit të zgjidhet përmes votimit të hapur, me pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve, brenda një afati 30-ditor nga publikimi i aktgjykimit të plotë. Vendimi përcakton se kandidati për këtë post mund të votohet maksimumi tre herë, ndërsa e drejta e propozimit mbetet ekskluzivisht në duart e grupit më të madh parlamentar.
Në njoftimin e saj, Gjykata ka konstatuar se Kryesuesi i Seancës Konstituive, Avni Dehari, nuk ka vepruar në përputhje me aktgjykimin e 26 qershorit 2025 dhe se veprimet e tij kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën.
Por ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka reaguar duke thënë se ky vendim nuk ofron rrugëdalje nga bllokada institucionale.
Ai ka theksuar se, ndonëse pajtohet me votimin e hapur në parim, kjo është një çështje politike dhe jo juridike, dhe se Gjykata nuk ka bazë kushtetuese për ta përcaktuar formën e votimit.
Sipas tij, kufizimi që një kandidat mund të propozohet vetëm tre herë është “rishkrim” i nenit 67 të Kushtetutës dhe vazhdim i një praktike të gabuar të instaluar më parë.
“Qëndrimi i shpalosur më poshtë është i bazuar në njoftimin që ka bërë sot Gjykata Kushtetuese. Aktgjykimi i plotë, ku do të shohim arsyet prapa vendimit, akoma nuk është bërë publik.
E lexova me vëmendje njoftimin e Gjykatës Kushtetuese për vendim në rastin KO193/25 dhe KO196/25 dhe e them shumë sinqerisht që prisja qartësi dhe rrugëdalje nga bllokada. Fatkeqësisht, ky vendim nuk e ofron këtë.
Pika 1, 2 dhe 3 e njoftimit nuk janë objekt debati, pa i parë arsyet konkrete pse Gjykata Kushtetuese ka ardhur në këto përfundime. Gjithsesi, duke i njohur procedurat e Gjykatës, konsideroj që arsyetimi do të jetë i kopsitur mirë.
Pika 4 e njoftimit e rikonfirmon që e drejta e propozimit për Kryetar të Kuvendit i takon grupit më të madh parlamentar. Pra nuk ka bartje të së drejtës për propozim nga një grup parlamentar te tjetri. Pjesa tjetër e kësaj pike është problematike. Gjykata ka vendosur që një kandidat i caktuar mund të nominohet vetëm tre herë, dhe pas votimit të tretë, grupi më i madh parlamentar duhet ta ndryshojë emrin e kandidatit.
Pavarësisht arsyetimit që mund të japë Gjykata, gjë që do ta lexojmë kur ta kemi tekstin e plotë të Aktgjykimit, vendimi që e drejta e nominimit të një kandidati të caktuar të kufizohet në tre herë nuk ka bazë në dispozitat materiale të Kushtetutës.
Me keqardhje e them që kjo gjë është vazhdim i praktikës që ka instaluar Enver Hasani ku vazhdohet praktika e shpikjes së gjërave. Efektivisht, dhe kjo nuk ka si të thuhet ndryshe, Gjykata e ka rishkruar nenin 67 të Kushtetutës.
Po ashtu, Gjykata e ka rishkruar Aktgjykimin e vitit 2014 si dhe Aktgjykimin e vet të datës 26 Qershor 2025, ku thuhet qartë që deputetët mund të votojnë hapur ose në mënyrë të fshehtë. Në parim pajtohem plotësisht që votimi për Kryetar dhe Nënkryetarët e Kuvendit duhet të jetë i hapur, por kjo gjë është çështje politike dhe jo juridike. Nuk ekziston asnjë dispozitë materiale juridike që i jep Gjykatës të drejtën të vendosë për një formë të votimit ose tjetrën, aq më tepër kur vetë Gjykata disa herë është deklaruar që të dy format e votimit janë të mundshme.
Pika 5 e njoftimit është po ashtu problematike, sepse Gjykata nuk mund t’i urdhërojë deputetët çfarë të bëjnë. Me këtë formulim, njësoj si në vitin 2014, Gjykata është në shkelje të pikës 1 të nenit 70 të Kushtetutës. Refuzimi për të votuar dhe refuzimi për të marr pjesë në një proces votimi është manifestim i vullnetit të lirë politik të deputetit, një e drejtë e garantuar me kushtetutë dhe konventa ndërkombëtarë që janë të zbatueshme në Kosovë.
Pika 6 është ripohim i vendimit të 26 Qershorit. Asgjë e re, pos që afati i ri 30 ditor do të fillojë të rrjedhë që nga dita e publikimit të Aktgjykimit të plotë.
Ajo çfarë mungon në këtë vendim, dhe që është tejet e rëndësishme për të gjithë qytetarët e këtij vendi, është qartësia për rrugën përpara në ndërtimin e institucioneve.
Gjykata nuk ka treguar çfarë ndodh pas skadimit të afatit 30 ditor, pra cilat janë pasojat juridike të mosrespektimit të afatit. Po ashtu Gjykata nuk ka treguar çfarë pasojash juridike kanë deputetët që nuk i binden pikës 5 të vendimit, gjegjësisht urdhrit që të jenë të pranishëm dhe të votojnë.
Kolegë të dashur nga Gjykata Kushtetuese, e respektoj vendimin tuaj, por kjo nuk do të thotë që keni vepruar mirë”, ka shkruar Kryeziu.