Kuba do të lirojë më shumë se 2,000 të burgosur

Qeveria e Kubës ka njoftuar se do të lirojë 2,010 të burgosur si një “gjest humanitar dhe sovran”, ndërsa vazhdon të përballet me presion politik të shtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në njoftimin e bërë të enjten, thuhet se ndër të burgosurit që do të lirohen do të jenë shtetas të huaj, të rinj, gra dhe persona mbi 60 vjeç, teksa lirimi bëhet “në kontekstin e festimeve fetare të Javës së Shenjtë”, një praktikë e zakonshme në sistemin penal kuban, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Autoritetet kanë thënë se përzgjedhja e të burgosurve për lirimin u bazua në një analizë të kujdesshme të veprave penale të kryera, sjelljes së mirë gjatë vuajtjes së dënimit, kohës së kaluar në burg dhe gjendjes së tyre shëndetësore.

Që nga kthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, administrata amerikane ka shprehur qartë dëshirën për ndryshim të udhëheqjes komuniste të Kubës dhe ka vendosur bllokadë të naftës, duke shkaktuar mungesa të rënda të karburantit dhe ndërprerje të shumta të energjisë elektrike në ishull.

Kujtojmë se në mars, 51 të burgosur u liruan pas bisedimeve me Vatikanin, ndërsa në vitin 2025, Kuba liroi 553 persona në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Vatikani dhe SHBA-në.

Organizata të të drejtave të njeriut kanë vënë në dukje se Kuba mban qindra të burgosur politikë dhe se kritikët e qeverisë shpesh përballen me ndëshkime dhe procedime penale.

Lirimi i fundit konsiderohet një nga amnistitë më të mëdha në vend dhe ndodh mes tensioneve të vazhdueshme me SHBA-në dhe sfidave të thella ekonomike për Kubën.

Të fundit nga rubrika