Kuçi: Kufiri perëndimor i Maqedonisë së Veriut zbulon logjikën e vjetër ruso-serbe për dominimin e Ballkanit

Gurakuç Kuçi

Kufijtë shtetërorë, përtej funksionit të tyre administrativ, historikisht kanë shërbyer si mjete gjeostrategjike për ushtrimin e ndikimit dhe kontrollit politik. Sipas analizës së Gurakuç Kuçit, hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, ndërmjetësimi i qëllimshëm i një etnie të tretë në zonat kufitare ka qenë një strategji e përdorur për krijimin e tensioneve të vazhdueshme dhe zonave të presionit afatgjatë.

Kuçi thotë se kjo logjikë, e zbatuar nga Rusia në Donbas, Krime, Abkhazi dhe Oseti të Jugut, si dhe nga Serbia në veriun e Kosovës, mbështetet në një trinom funksional: demografinë, narrativën nacionaliste dhe kontrollin e hapësirës kufitare.

Sipas Kuçit, këto elemente përbëjnë thelbin e luftës hibride, ku nacionalizmi shndërrohet nga ideologji në mjet operacional për qëllime gjeopolitike.

“Kufijtë shtetërorë historikisht nuk kanë shërbyer vetëm si ndarje administrative, por edhe si instrumente gjeostrategjike të kontrollit dhe ndikimit. Në shumë raste, për të krijuar barriera të qëndrueshme midis dy hapësirave politike ose kombëtare, është ndërmjetësuar qëllimisht një etni e tretë në zonat kufitare. Kjo qasje synon prodhimin e tensioneve të vazhdueshme, justifikimin e ndërhyrjeve politike ose të sigurisë dhe krijimin e zonave të presionit afatgjatë.

Raste të tilla nuk janë identike në formë, por ndjekin të njëjtin parim operacional. Rusia e ka aplikuar këtë model në Donbas, Krime, Abkhazi dhe Oseti të Jugut, ndërsa Serbia në veriun e Kosovës Në të gjitha këto raste, demografia, narrativa identitare dhe kufiri funksionojnë si leva gjeostrategjike të ndërthurura.

Këto qasje përbëjnë forma të luftës hibride, të ndërtuara mbi përgatitje afatgjata dhe jo mbi veprime të rastësishme. Lufta hibride, në këtë kuptim, i ka lehtësuar nacionalizmit funksionin e tij operacional, duke e shndërruar atë nga ideologji në mjet. Demografia, narrativa nacionaliste dhe kontrolli i hapësirës kufitare përbëjnë një trinom funksional të kësaj strategjie”, ka shkruar Kuçi.

Kuçi ka analizuar rastin e Vevçanit si pjesë të një modeli më të gjerë të luftës hibride ruso-serbe në Ballkan, ku narrativa nacionaliste dhe incidentet kulturore përdoren për të normalizuar diskursin anti-shqiptar.

Sipas tij, këto zhvillime nuk janë të rastësishme, por përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin rajonal dhe sigurinë afatgjatë.

“Në këtë kontekst analitik duhet parë edhe rasti i Komunës së Vevçanit në Maqedoninë e Veriut dhe festimet me thirrje nacional-shoviniste serbe. Vevçani është një komunë me shumicë maqedonase ortodokse, e ndarë administrativisht nga Struga në vitin 2004, dhe ndodhet në afërsi të kufirit me Shqipërinë, rreth 8–10 km larg, me lidhje të drejtpërdrejta gjeografike drejt Pogradecit dhe Tiranës.

Në shtator të vitit 1991, më pak se dy javë pas shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë nga Jugosllavia, Vevçani shpalli simbolikisht pavarësinë përmes një referendumi lokal. Ky akt nuk u njoh, por mbetet tregues i një tradite lokale të rebelizmit simbolik.

Megjithatë, zhvillimet e fundit e vendosin Vevçanin në një kontekst të ri narrativ. Gjatë datave 13 dhe 14 janar, në kuadër të karnavalit tradicional të Shën Vasilit, një ritual shekullor i lidhur me vitin e ri sipas kalendarit Julian, u dëgjua këndimi i këngës nacional-shoviniste serbe “Ko to kaže, ko to laže, Srbija je mala”.

Gjatë viteve ‘90, kjo këngë është kënduar nga ushtria, policia dhe formacionet paramilitare serbe gjatë luftërave në Kosovë, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë. Prania e saj në një festival tradicional nuk përbën provë të drejtpërdrejtë të një strategjie të organizuar shtetërore maqedonase, por funksionon si indikator i depërtimit të një narrative ekspansioniste në hapësira të Maqedonisë së Veriut dhe janë të pakontrolluara.

Nga incidentet lokale te modeli rajonal i amplifikimit

Rasti i Vevçanit megjithatë nuk është përjashtim. Ai përputhet me një zinxhir ngjarjesh të dokumentuara në rajon: grafite në Kollashin me mesazhin “kur ushtria të kthehet në Kosovë”, mbishkrime në Budva si “Kosova është Serbi” dhe “ai që vdes për Kosovën nuk vdes kurrë”, si dhe thirrje të hapura gjenocidale kundër shqiptarëve gjatë një ndeshjeje basketbolli në Kumanovë, përfshirë “dhoma gazi për shqiptarët” dhe “Maqedoni e pastër”.

Këto raste po funksionojnë si amplifikatorë socialë të një narrative të qëndrueshme anti-shqiptare, e cila përhapet përmes grafiteve, sportit, festivaleve dhe ritualeve kulturore. Kjo është karakteristike për fazën e presionit psikologjik dhe shoqëror të luftës hibride, ku qëllimi nuk është eskalimi i menjëhershëm, por normalizimi gradual i diskursit të urrejtjes dhe konfliktit.

Këto zhvillime tregojnë për një përpjekje sistematike për ta shndërruar anti-shqiptarizmin nga qëndrim ekstrem në diskurs të përhapur rajonal, veçanërisht në momente kur regjimi i Beogradit përballet me trysni të brendshme politike dhe delegjitimim ndërkombëtar. Eksportimi i tensionit shërben si mjet për zhvendosjen e krizës dhe testimin e kufijve të reagimit rajonal dhe ndërkombëtar.

Shqiptarët përbëjnë një nga faktorët kyç gjeopolitikë në Ballkanin Perëndimor që pengon realizimin e projekteve hegjemoniste ruso-serbe për dalje strategjike drejt Adriatikut. Për këtë arsye, normalizimi i diskursit anti-shqiptar përmes formave hibride duhet trajtuar jo si provokim lokal, por si kërcënim i drejtpërdrejtë për rendin publik, stabilitetin rajonal dhe sigurinë afatgjatë”, ka shkruar Kuçi.

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika