Kurti: 28 Nëntori është boshti historik i shqiptarisë, koha për “Nëntorin e Tretë” të bashkimit evropian

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përshkruar 28 Nëntorin si datën që përmbledh fatin historik të kombit shqiptar, duke e cilësuar atë “boshtin e pashkëputshëm të rrugëtimit tonë drejt lirisë dhe shtetësisë”.

Në urimin e tij për Ditën e Flamurit, ai tha se kjo datë është “një shenjë e shenjtë e kalendarit kombëtar”, duke e ndërlidhur me tri momente kyçe të historisë shqiptare, ngritjen e flamurit nga Skënderbeu në Krujë në vitin 1443, shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë në 1912 dhe lindjen e komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, në vitin 1955.

Kurti përfshiu edhe momentet moderne të historisë shqiptare, përfshirë lindjen e Adem Jasharit në 1955 dhe daljen publike të UÇK-së në 28 nëntor 1998.

“Gjithë këto përpjekje, luftëra e flijime të atdhetarëve shqiptarë nëpër shekuj janë kurorëzuar sot me Shqipërinë e pavarur dhe me Kosovën e pavarur”, tha ai.

Në mesazhin Kurti foli për një “Nëntor të Tretë”, të cilin e lidhi me të ardhmen evropiane të shqiptarëve.

“Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet”, ka shkruar ai.

Të fundit nga rubrika