Kurti akuzon mediat për raportime mbi “financime me thasë parash” dhe “manipulim nga armiqtë”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit në Kuvend për Ligjin për Këshillin e Pavarur për Media, ka folur për rëndësinë e transparencës në media dhe ka kritikuar raportimet për “financime të dyshimta”.

Ai ka deklaruar se demokracia nuk mund të funksionojë pa fjalën e lirë, por sipas tij, liria e fjalës nuk mund të ekzistojë nëse media ndikohet nga interesa të fshehta.

“Një demokraci nuk jeton vetëm nga bota e çliruar, por edhe nga fjala e lirë. Dhe kjo duhet të jetë e lirë për të qenë e vërtetë. Por fjala nuk mund të jetë e lirë nëse është e kapur nga interesat e fshehta. Raportimet për financime me thasë parash nuk janë vetëm një problem i etikës profesionale. Ato janë një kërcënim i drejtpërdrejtë për integritetin e debatit publik. Sepse kur paraja hyn në mënyrë të padukshme, ajo blen jo vetëm hapësirën e lajmit, ajo blen ndjekjen, orienton narrativën dhe në fund deformon perceptimin e qytetarit“, ka deklaruar ai.

Ai ka shtuar se qytetari i dezinformuar nuk është i lirë, por i manipuluar, duke përmendur edhe ndikime që, sipas tij, vijnë nga “armiqtë e jashtëm dhe bashkëpunëtorët e brendshëm”.

“Një qytetar i dezinformuar nuk është qytetar i lirë. Ai është i manipuluar dhe siç shpjegojnë edhe raportet, ky manipulim vjen direkt nga armiqtë tanë, por që fatkeqësisht gjejnë edhe argatët e tyre brenda nesh”, ka shtuar ai.

Kurti ka theksuar se Qeveria nuk synon kufizimin e mediave, por forcimin e tyre përmes transparencës dhe përgjegjësisë më të madhe.

“Ne nuk kemi interes të kontrollojmë mediat, por t’i mbrojmë nga kapja. Qytetari duhet të dijë kush financon dhe kush qëndron pas një mediumi”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, ligji i ri për KPM-në nuk ka për qëllim censurën, por mbrojtjen e medias nga ndikimet e jashtme, duke e krahasuar qasjen me masat e Bashkimit Evropian ndaj mediave ruse.

Të fundit nga rubrika