Kurti arrin në Samitin e Berlinit, pritet nga kancelari Scholz

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tashmë ka arritur në Berlin ku është pritur nga kancelari gjerman, Olaf Scholz

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me kancelarin gjerman, Olaf Scholz





Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të enjten e tre nëntorit janë mysafirë te kancelari gjerman Olaf Scholz për t’i dhënë një shtysë përpara Procesit të Berlinit.

Në Berlin, ka arritur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

I pari i ekzekutivit, do të takohet me kancelarin gjerman Olaf Scholz, si dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, liderë të dy shteteve, prej nga ka ardhur propozimi shumë i diskutuar në publik për marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Për këtë çështje, Kurti, pritet të ketë një takim të ndarë me Scholz e Macron.

Në Berlin, ka arritur edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz

Në Berlin pritet të konkretizohen me nënshkrime tri marrëveshje.

Njëra nga tri marrëveshjet që pritet të arrihet në këtë samit ka të bëjë me njohjen reciproke të kartave të identitetit.

Tjetra ka të bëjë me njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale ndërmjet palëve që e nënshkruajnë.

Po ashtu pritet që Kosova dhe Bosnje e Hercegovina ta zyrtarizojnë heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e të dyja shteteve, me atë të së cilës qytetarët do të mund të udhëtojnë drejt Bosnjës pa pasur nevojë që të pajisen me vizë.

Të gjashtë shtetet, pas një periudhe intenzive dialogu, janë dakorduar për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Marrëveshjet pritet të nënshkruhen me 3 nëntor në Samitin e Berlinit. Pas hyrjes në fuqi të marrëveshjeve, fillon edhe konkretisht zbatimi Tregut të Përbashkët Rajonal i cili do të bëjë heqjen graduale të kufizimeve dhe barrierave në katër liritë mes mbi 17 milionë banorëve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kryeziu.

Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel.

Qëllimet kryesore të këtij procesi janë, përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe integrimi evropian i rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Procesi fokusohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.

Ky proces përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinën.

Ndërsa, shtetet pjesëmarrëse të BE-së janë, Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Greqia, Gjermania, Polonia, Sllovenia dhe Italia.





Shija e redaktorit

Këto janë libraritë ku mund t’i gjeni tekstet shkollore të...

Shtëpia botuese “Dukagjini” njofton se ka filluar shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 dhe tashmë janë në dispozicion në të gjitha libraritë partnere...

Fillon shitja e teksteve shkollore për vitin 2025/2026 nga shtëpia...

Shtëpia botuese “Dukagjini” ka nisur zyrtarisht shitjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor 2025/2026. Prindërit, mësimdhënësit dhe nxënësit tani mund t’i gjejnë...

50 autoblinda për Kosovën, Ambasada amerikane: Tjetër hap në angazhimin...

Të premten është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së...

Të fundit nga rubrika