Kurti: Daci dha shembull se si duhet zhvilluar beteja politike dhe Kuvendi në Kosovë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në Akademinë Përkujtimore për ish-kryetarin e Kuvendit Nexhat Dacin, e vlerësoi si të jashtëzakonshëm rolin e tij në ndërtimin e institucioneve dhe konsolidimin e demokracisë në Kosovë pas çlirimit.

Kurti e përshkroi Dacin si një figurë kyçe në zhvillimin e skenës politike dhe si një shembull të drejtimit të debatit parlamentar me maturi dhe qetësi.

“Në dekadën e parë të periudhës së çlirimit të Kosovës, Nexhat Daci kishte qenë deputet i zgjedhur i këtij Kuvendi si dhe kryetar i Kuvendit të Kosovës dy herë, mes viteve 2000-2004 dhe 2004-2006. Në Kosovën që sapo ishte çliruar më 1999, kur po viheshin themelet e një rendi të ri politik e vleror drejt demokracisë e mirëqeverisjes, dhe ku më së pari po ndryshonin rregullat e të folurit në publik, Nexhat Daci e pati për detyrë ta drejttonte diskutimin në Kuvendin e Kosovës nga pozita e kryetarit. Me maturi dhe qetësinë e tij, ai dha shembull se si duhet të zhvillohet kuvendi dhe si duhej zhvilluar beteja politike nga foltorja dhe ulëset e këtij Kuvendi”, tha ai.

Kurti foli edhe për rolin e tij si politikan dhe shkencëtar.

“Si politikan, Nexhat Daci ka ditur ta luajë rolin e një figure balancuese mes poleve dhe në skenën politike të Kosovës para dhe pak vite pas pavarësisë, duke qenë e kundërta e polarizimit në skenën politike.

Si shkencëtar i kimisë, doktor Nexhat Daci ka qenë origjinal dhe punëtor në studimet e tij, duke lënë pas një mori punimesh dhe veprash shkencore nga karriera e tij e gjatë si profesor në Universitetin e Prishtinës”.

“Me përmasat e tij si politikan dhe me profilin e tij si shkencëtar-profesor, Nexhat Daci do të jetë një zë me vete në faqet e historisë politike të shtetndërtimit të Kosovës dhe në historinë e arsimit dhe të shkencës në Kosovë,” tha ai.

Në emër të familjes, e bija e Nexhatit, Majlinda Daci, ka shprehur mirënjohjen e familjes për respektin dhe nderimet e kushtuara të atit.

“Në emër të familjes sonë ju shprehim falënderimin dhe mirënjohjen më të thellë për respektimin, nderimin dhe fjalët e mira që sot i janë kushtuar babit tonë. Prania juaj këtu është dëshmi e dashurisë dhe vlerësimit që ai ka gëzuar gjatë gjithë jetës së tij. Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të kujtuar një akademik, një profesor apo një udhëheqës institucional, sot kujtojmë një njeri që jetën e tij e jetoi me dinjitet, sakrificë dhe shërbim të pandërprerë ndaj dijes, vendit dhe njerëzve. Babi qysh herët, që nga mosha 4-vjeçare, jeta ia vuri mbi supe barrën e rëndë të rritjes pa prindër; ishte një fillim i vështirë, por për babin kjo mungesë u shndërrua në forcë, kjo dhimbje në karakter dhe kjo vështirësi në vullnet të palëkundur për të ecur përpara”, tha ajo.

Majlinda Daci vuri në pah edhe rolin historik të babait të saj gjatë periudhës pas luftës.

“Në një kohë kur Kosova po dilte nga lufta dhe shoqëria ishte thellësisht e përçarë politikisht, ai mori mbi vete një barrë të rëndë historike: të ndërtonte ura aty ku kishte ndarje, të sillte dialog aty ku kishte mosbesim dhe të kultivonte maturi aty ku mbizotronte tensioni. Ai luajti një rol të pa zëvendësueshëm si unifikues i skenës politike, duke u bërë zë i arsyeve në një moment kur vendi kishte më shumë se kurrë nevojë për udhëheqës të urtë dhe gjithëpërfshirës. Ai besonte thellë se politika, kur bëhet me ndershmëri dhe dinjitet, është shërbim ndaj qytetarëve dhe sakrificë për të ardhmen,” tha ajo.

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika