Pas një viti, pritet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të ulet përsëri në tavolinë të bisedimeve me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Sipas njoftimit të Bashkimit Evropian, në Bruksel më 18 gusht palët takohen nën ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë së BE-së Josep Borrell, ku do të jetë edhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak.
Kjo ftesë që ka ardhur pas tensioneve të ngritura mes dy vendeve si shkak i reciprocitet, u konfirmua për Dukagjinin nga zëdhënësi i BE-së Peter Stano.
“Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, ka ftuar të dy palët në Bruksel. Presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti kanë pranuar ftesat dhe do të priten në Bruksel më 18 gusht nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së dhe nga përfaqësuesi special, Miroslav Lajçak, për të diskutuar për rrugën para në dialogun Beograd – Prishtinë”, ka thënë Stano.
Por përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borell, ka folur përsëri për një marrëveshje që po nxit debat tash e sa kohë mes palëve.
Ai në një përgjigje për Parlamentin Evropian, i ka kërkuar Kosovës themelimin e Asociacionit dhe vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit.
“BE-ja vazhdimisht u ka përkujtuar institucioneve të Kosovës që të zbatojnë me shpejtësi dhe në tërësi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e tokës në Manastirin e Deçanit pa ndonjë vonesë të mëtejshme. Të dyja palët, Kosova dhe Serbia ranë dakord për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Marrëveshja ishte ratifikuar nga parlamenti i Kosovës dhe Kosova duhet të përmbushë detyrimin e saj ligjor dhe të zbatojë atë pa vonesa. Të dyja palët duhet të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre ligjore ndërkombëtare dhe të zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara” ka shtuar Borell.
Megjithëkëtë, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian ka përsëritur se rrugën evropiane për dy shtetet e siguron vetëm një marrëveshje përfundimtare.
Liderët e Kosovës dhe Serbisë vazhdimisht kanë refuzuar që të takohen dhe herën e fundit ishte Presidenti serb Aleksandër Vuçiq që në muajin korrik iu përgjigj negativisht një ftese të BE-së për takim në Bruksel.