Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, të enjten kanë pritur në takim kryetarin e Bordit drejtues të Çalık Holding, Ahmet Çalık, kryetarin e Bordit Drejtues të kompanisë Limak, Nihat Özdemir, si dhe drejtorin Ekzekutiv të KEDS-it, Alpin Dogan, me bashkëpunëtorë.
Në këtë takim është diskutuar për situatën energjetike në vend dhe raportin me KEDS-in në funksion të furnizimit të qëndrueshëm të qytetarëve me energji.
Shefi i ekzekutivit ka thënë se Kosova është një shtet ku po rriten prodhimtaria dhe eksportet, andaj po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme energjia për bizneset, dhe siç është shprehur ai, Kosova ka shënuar një ngritje prej 86% për vitin 2021, krahasuar me 2020 në eksporte dhe 23% për vitin 2022, krahasuar me 2021.
Sipas njoftimit të ZKM, Çalık dhe Holding theksuan se kompanitë që drejtojnë janë në shërbim të shtetit të Kosovës dhe qëllimi i përbashkët është furnizimi i rregullt dhe distribuimi i qëndrueshëm i energjisë.