Kurti merr pjesë në funeralin shtetëror të ish-kryeministrit japonez

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Financave, Hekuran Murati dhe ambasadori i Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari, kanë vendosur lule të freskëta në nderim të jetës së mikut të vendit, ish-kryeministrit Shinzo Abe

Makina e funeralit, e cila po transportonte trupin e Shinzo Abe, nëpër rrugët e Tokyo-s.





Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në funeralin shtetëror në nderim të ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe.

Kurti është shoqëruar nga ministri i Financave, Hekuran Murati dhe ambasadori i Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari, të cilët kanë vendosur lule të freskëta në nderim të jetës së mikut të vendit, ish-kryeministrit Shinzo Abe.

“Në një takim të shkurtër, në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës, kryeministri Kurti u ka shprehur ngushëllime Kryeministrit të Japonisë, Fumio Kishida dhe bashkëshortes së ish-kryeministrit Abe, Akie Abe”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Në funeralin shtetëror kanë marrë pjesë mijëra personalitete nga Japonia dhe i gjithë globi, përfshirë përfaqësues të Lartmadhërisë së tij Perandorit Naruhito, anëtarë të Qeverisë dhe Parlamentit japonez, si dhe krerë shtetesh dhe përfaqësues të shumë vendeve të botës.

Ndryshe, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili ka udhëtuar për në Japoni për të marrë pjesë në ceremoninë shtetërore të varrimit të ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe.

Ai e ka quajtur papërgjegjësi të kryeministrit, ngase në kohë krize i njëjti po gjen kohë “të ikë nga ballafaqimet” dhe nga krizat që e kanë kapluar vendin.

Abdixhiku, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se kjo “nuk është më gjendje normale”.

“Mbi 320 mijë fëmijë tash e një muaj janë pa mësim – rrinë në shtëpi – por kryeministri i Kosovës zgjedh të largohet për në Japoni. Paaftësi dhe papërgjegjësi! Ky njeri nuk di të qeverisë”, ka shkruar Abdixhiku, teksa shtoi se “ikja nga këto ballafaqime është veç papërgjegjësi”.

I pari i LDK-së ka potencuar se asnjëherë në Kosovë, në kohë paqeje, mësimi nuk është ndërprerë kaq gjatë.

Sipas tij, asnjëherë më parë fëmijët kosovarë nuk kanë pësuar me kaq “pandjeshmëri”.

“Kjo më nuk është gjendje normale. Fëmijët, familjet, mësimdhënësit e vetë shteti s’mund të dëmtohen me kaq lehtësi. Kujt i duhen fajësimet, ofendimet e egot individuale kur në fund mbesim në krizë?”, shtoi ai.

Siç thotë Abdixhiku, Kosova ka nevojë për vëmendje e udhëheqje të matur politike.

“Kosova ka nevojë për lidership që jep zgjidhje, menaxhon kriza e përgatit vendin për betejat e madha përpara – në energjetikë, inflacion, shëndetësi e ekonomi”, shkroi ai.

Ndryshe, siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, shefi i ekzekutivit i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë qëndrimit në Japoni do të zhvillojnë edhe takime të tjera zyrtare.

Të premten e 8 korrikut, ish-kryeministri japonez kishte vdekur pasi ishte qëlluar me armë përgjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare.

Abe, 67-vjeçar, i cili njëherësh mbetet kryeministri më jetëgjatë i Japonisë, u qëllua prapa gjersa ishte duke mbajtur një fjalim në fushatë.

Ndërsa, në librin e zisë të hapur në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, kryeministri Kurti kishte shprehur respektin dhe nderimin për ish-kryeministrin Abe.





Shija e redaktorit

Mbreti Charles III e uron Kosovën në 18-vjetorin e Pavarësisë

Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar, Charles III, i ka dërguar një letër urimi presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18...

Shpallje zyrtare në Uashington: 17 Shkurti, Dita e Pavarësisë së...

Në prag të 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Kosovës në Uashington DC ka bërë të ditur se 17 Shkurti është...

Nxënësit e Rahovecit e mirëpritën prezantimin e lektyrave nga “Dukagjini”

Fillim java, në Rahovec për dhjetëra nxënës të ciklit të ulët të shkollave fillore solli më të dashurit për ta, personazhet të cilat shumica...

Të fundit nga rubrika