Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar 27-vjetorin e fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi Jugosllavi, duke e cilësuar atë si moment vendimtar që ndali gjenocidin dhe spastrimin etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Kurti theksoi se më 24 mars 1999, NATO, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nisi Operacionin “Forca Aleate” kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe, pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për të ndalur dhunën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit.
Ai rikujtoi se fushata bombarduese zgjati 78 ditë dhe përfundoi më 10 qershor 1999 me Marrëveshjen e Kumanovës, e cila i dha fund luftës në Kosovë.
Sipas Kurtit, gjatë asaj periudhe Serbia intensifikoi dhunën në terren, duke dëbuar qindra mijëra shqiptarë dhe vrarë mijëra civilë.
Kurti vlerësoi se ndërhyrja e NATO-s, së bashku me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, solli lirinë dhe hapi rrugën për ndërtimin e shtetit të Kosovës.
Ai shprehu mirënjohje të veçantë për rolin e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve ndërkombëtarë në rrugën e Kosovës drejt lirisë, demokracisë dhe integrimit.
“Andaj ne e kujtojmë me mirënjohje ndihmën e jashtëzakonshme të të gjitha vendeve të NATO-s dhe nderojmë veçanërisht rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrugën e popullit të Kosovës për liri me demokraci dhe shtetndërtim me integrim”, ka shkruar Kurti në Facebook.