Kurti: Në Kosovë pushteti mund të merret vetëm përmes zgjedhjeve, jo me dhunë dhe krim

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se pushteti në vend mund të fitohet vetëm nëpërmjet zgjedhjeve, duke kundërshtuar dhunën dhe krimin. Protestat në komunat veriore të vendit janë njoftuar të mos jenë paqësore, dhe se komunikimi me aleatët ndërkombëtarë është rritur ka deklaruar ai

Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës
Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pushteti në Kosovë mund të merret vetëm përmes zgjedhjeve e jo dhunës dhe krimit.

Me anë të një videoje në Facebook, Kurti u është drejtuar qytetarëve duke u thënë se kryetarët e zgjedhur të komunave janë të vetmit me legjitimitet brenda ndërtesave komunale. Ai thekson se komuniteti serb duhet çliruar nga ekstremistët dhe “milicët”.

“Kryetarët e zgjedhur nga zgjedhjet e 23 prillit, përkundër daljes së ulët në zgjedhje për shkak të bojkotit të diktuar dhe detyruar mbi serbët e Kosovës, megjithatë janë të vetmit që kanë çfarëdo legjitimiteti të jenë në ndërtesa të komunave dhe në shërbim të qytetarëve. Prandaj, ata kanë mbështetjen tonë të plotë, të pakushtëzuar dhe të pandërprerë”, ka shkruar Kurti, gjersa ka theksuar se “dje na u dëshmua përfundimisht dhe të gjithëve se kë kemi përballë: grupe të së djathtës ekstreme me maska, që vandalizojnë, sulmojnë, djegin çdo gjë që nuk e konsiderojnë serbe e që lartësojnë simbole nacionaliste dhe shoviniste, si kryqi me katër S-ja dhe Z-ja e agresionit rus në Ukrainë. Ekstremistët dhe milicët kanë emra të veçantë. Ata nuk janë populli. Komuniteti serb duhet të çlirohet prej tyre. Ne i kemi identifikuar shumicën e tyre dje dhe sot. Nuk mund të ketë individë e as grupe mbi ligjin e më të fuqishëm se shteti”.

Ai ka theksuar se protestat gjatë të hënës dhe të martës në komunat në veri të vendit nuk ishin paqësore, gjersa shtoi se komunikimi me aleatët ndërkombëtarë është shtuar.

“Unë e di të dashur qytetarë që në grumbullimet dje dhe sot ka pasur edhe protestues paqësorë. Por, protestat dje e sot nuk ishin paqësore. Një protestë që sulmon policinë e cila e ruan rendin dhe zbaton ligjin, pjesëtarët e KFOR-it që e ruajnë qetësinë dhe stabilitetin, dhe gazetarët të cilët raportojnë mbi ngjarjet nga terreni, nuk janë protestë për komunën, por për pushtet. Në Kosovë, pushteti mund të merret vetëm përmes zgjedhjeve. Jo me dhunë dhe krim”, ka thënë ai, teksa ka theksuar se “Orëve të fundit, institucionet tona kanë shtuar edhe më shumë komunikimin me partnerët ndërkombëtarë, sepse qetësimin e situatës e kemi qëllim të përbashkët. Por, përveç shqetësimeve dhe brengave, dje na u dëshmua para syve se edhe kërcënimet dhe rreziqet i kemi të përbashkëta.”

Kurti u ka uruar të lënduarëve shërim të plotë, gjersa ka falënderuar kryetarët për vullnetin e shërbimit. Ai nuk ka kursyer falënderimet e tij as për KFOR-in dhe Policinë e Kosovës.

Nga e premtja, serbët lokalë protestuan kundër hyrjes së kryetarëve të rinj në objektet e komunave në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Rreth 25 ushtarë kanë pësuar lëndime nga situatat e shkaktuara në veri.

Shija e redaktorit

Njohja nga Siria, ambasadori gjerman përgëzon Osmanin

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka reaguar pas njohjes së paravarësisë së Kosovës nga Siria. Rudolph ka përgëzuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani...

Kurti pritet nga Macron në Pallatin Presidencial në Paris

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në pallatin presidencial Elysee, ku mori pjesë në darkën...

Osmani pritet me nderime ushtarake në Riad të Arabisë Saudite

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur me nderime ushtarake në vizitën e saj në Arabinë Saudite.  Ajo po qëndron në Riad, pas ftesës që...

Të fundit nga rubrika