Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij në Samitin e 12-të të Procesit të Berlinit që po mbahet në Londër, ka ngritur shqetësimin për kërcënimet e vazhdueshme që Kosova përballet nga Serbia, duke theksuar se sulmi terrorist në Banjskë “nuk mund të injorohet” dhe se drejtësia ende nuk është vënë në vend.
“Megjithëkëto, përparimi ynë mbetet nën hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm nga fqinji ynë verior. Sulmi terrorist në Banjskë nuk mund të injorohet. Milan Radoiçiq ka pranuar përgjegjësinë, megjithatë drejtësia ende nuk është vënë në vend. Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri, pasi kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pandëshkuara”, deklaroi Kurti.
Kurti theksoi se samiti po zhvillohet në një periudhë të ndjeshme për Evropën, e cila, sipas tij, është “më e begatë se kurrë, por njëkohësisht më e kërcënuar se asnjëherë më parë” nga autoritarizmi dhe ndikimet e jashtme.
Ai bëri thirrje për unitet më të fortë evropian që të shtrihet edhe në Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri vuri në dukje përparimet e Kosovës në pesë vitet e fundit, duke përmendur rritjen ekonomike mesatare prej 6% dhe heqjen e vendit nga lista e vendeve të brishta nga Banka Botërore e FMN.
Ai tha se këto rezultate janë “dëshmi e qëndrueshmërisë dhe qeverisjes së mirë” që ka ndërtuar Kosova.
Sa i përket zhvillimit ekonomik, Kurti nënvizoi mbështetjen e Kosovës për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe Agjendën e Gjelbër, por kërkoi më shumë financime për projektet infrastrukturore dhe tranzicionin e gjelbër.
Ai përmendi edhe nënshkrimin e marrëveshjes tregtare me vendet e EFTA-s dhe rifunksionalizimin e CEFTA-s gjatë kryesimit të Kosovës.
Në fund, Kurti u ndal te migracioni dhe bashkëpunimi me Britaninë e Madhe, duke theksuar se Kosova nuk është burim migracioni, por “vetëm një pikë tranziti me numra shumë të ulët”, ndërsa po punon për forcimin e sigurisë kufitare dhe luftimin e krimit të organizuar.