Është shënuar 27-vjetori i masakrimit të 106 qytetarëve në Pastasel të Komunës së Rahovecit. Në përkujtimin e viktimave të një nga krimet më të rënda të luftës së Kosovës ishte edhe kryeministri, Albin Kurti.
Ai tha se 106 civilët në Pastasel u vranë vetëm pse ishin shqiptarë. Kurti shtoi se kujtesa për këto viktima nuk mjafton vetëm në kujtime, por duhet të bëhet drejtësi.
Sipas tij, është detyrë e institucioneve të drejtësisë që këto të shndërrohen në aktakuza.
“Ne në vend kujtese rikthehemi për të mos harruar kurrë ditën kur 106 civilë u vranë vetëm se ishin shqiptarë. Pasi që i ndanë nga familjet, i rreshtuan në katër grupe dhe i ekzekutuan me gjakftohtësi. Krim i paramenduar ndaj njerëzimit. I vranë pa mëshirë duke vrarë ëndrrat e një brezi të ri. Në atë ditë u goditën rrënjët e trashëgimisë. Kujtesa nuk mjafton vetëm në kujtime, ajo duhet të bëhet edhe drejtësi. Është detyrë e institucioneve të drejtësisë që këto të shndërrohen në aktakuza. Drejtësia e vonuar është drejtësi e cunguar, por ne nuk do të ndalemi kurrë së kërkuari atë. Ata më vonë u përpoqën të fshihej e vërteta me zhvarrosjen dhe djegien e trupave. Serbia kreu gjenocid në Kosovë, menduan se do na zhdukin; ata ikën e ne qëndruam këtu të pathyeshëm. Sakrifica e dëshmorëve u bë udhërrëfyes i popullit tonë”, tha Kurti.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se ajo çka ndodhi 27 vjet më parë në këtë fshat është krim kundër njerëzimit.
Fjalën e mori edhe i mbijetuari i kësaj masakre, Tahir Krasniqi, i cili rrëfeu momentin e plagosjes së tij dhe sesi forcat serbe i kanë pushkatuar civilët shqiptarë.
Më 31 mars 1999, forcat serbe vranë dhe masakruan 106 persona nga ky fshat dhe zonat përreth. Pastasella u sulmua nga forcat serbe, të cilat vendosën tanke në kodra dhe depërtuan brenda fshatit. Civilët që u përpoqën të gjenin strehë u rrethuan dhe u detyruan të dorëzoheshin. Gratë dhe fëmijët u dëbuan me urdhrin “shkoni në Shqipëri”, ndërsa burrat u ndanë në grupe dhe u ekzekutuan me armë automatike.