Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka akuzuar partitë opozitare për zvarritjen e konstituimit të Kuvendit për më shumë se katër muaj.
Sipas tij, AAK, PDK dhe LDK kanë bërë ankesa të njëpasnjëshme në Gjykatën Kushtetuese me qëllim bllokimin e procesit.
Kurti tha se vonesat kanë ndodhur kryesisht për shkak të Gjykatës Kushtetuese, e cila, sipas tij, ka marrë shumë kohë për shqyrtimin e këtyre ankesave.
Shefi i ekzekutivit në detyrë theksoi se shumica e gjyqtarëve të Kushtetueses janë emëruar në vitin 2018, në kohën e koalicionit PAN dhe Listës Serbe, gjë që sipas tij ka ndikuar në vonesën e vendimeve.
“Edhe shumë absurde, edhe shumë e dëmshme. Që nga fillimi e deri te zgjedhja e Dimal Bashës kryetar, pra nga katër muaj e gjysmë, prej mesit të prillit deri në fund të gushtit, janë vonesa prej Gjykatës Kushtetuese. Një muaj e gjysmë kanë vonuar për ta trajtuar ankesën e AAK-së, pastaj atë të PDK-së dhe LDK-së.
Pra, dy të tretat e kohës na i ka marrë Gjykata Kushtetuese. Opozita orë e çast atje, a e dini pse? Sepse 5 nga 7 gjyqtarë të saj janë zgjedhur në vitin 2018, në kohën e PAN-it dhe Listës Serbe. Ne i fituam 3 herë zgjedhjet, ata mbetën sërish në Gjykatë, thuajse është ende viti 2018”, ka deklruar ai, transmeton EO.