Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk është i sigurt nëse Serbia synon të imponojë mënyrën e jetesës së saj te të tjerët, por ajo e preferon territorin e të tjerëve, por pa të tjerët.
Dita e dytë e seminarit Rose-Roth nisi me fjalimin e Kurtit me ç’rast, ai i ka treguar prioritetet e Republikës së Kosovës drejt rrugës euroatlantike. Por pyetjet lidhur me Serbinë nuk u kursyen nga të pranishmit. I pyetur nëse besonte që serbët po përpiqen të imponojnë mënyrën e jetesës në Ballkanin Perëndimor, Kurti tha se shteti serb preferon territorin.
“Nuk jam i sigurt që Serbia synon të imponojë mënyrën e vet të jetesës te të tjerët, ajo preferon territorin e të tjerëve, por pa të tjerët”, ka deklaruar Kurti gjersa ka përmendur lidhjen e ngushtë të Serbisë me Rusinë.
Kurti ka thënë se Kosova e ka të qartë orientimin e saj politik dhe strategjik drejt strukturave euroatlantike.
“Republika e Kosovës është shumë e qartë në orientimin e saj politik dhe strategjik drejt strukturave euroatlantikte. Në prioritet kryesor, Kosova e ka promovimin e vlerave politike dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Kurti gjersa ka theksuar se Kosova është nën vëzhgimin e Brukselit në dialogun Kosovë-Serbi, për një marrëveshje e cila ka për qëllim njohjen e ndërsjelltë në mes dy vendeve.
Krahas kësaj, Kurti ka vlerësuar ndihmën e NATO-s në Kosovë, duke e cilësuar mbrojtjen sikurse reciproke.
“Nuk është NATO vetëm ajo që mbron Kosovën, por edhe Kosova mbron atë. Ne e mbrojmë këtë storje suksesi, intervenimi e saj në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Po ashtu, ai ka përmendur edhe rritjen e buxhetit te Forcat e Mbrojtjes dhe Sigurisë së Kosovës, buxhet për të cilin thotë se këtë vit është rritur në 102 milionë euro.
Seminari Rose-Roth shënon ditën e dytë të punimeve të tij. Përgjatë të shtunës dhe njëherit, ditës së parë të këtij seminari, morën pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, kërkoi mbështetjen e vendeve ndërkombëtare për anëtarësimin e Kosovës në NATO, në mënyrë që Kosova të arrijë të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe.