Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë pritur në takim komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major, Angelo Michele Ristuccia dhe oficerë të tjerë të lartë të KFOR-it e të karabinierëve italianë në kuadër të Njësisë Multi-nacionale të Specializuar (MSU).
Zyra e Kryeministrit bën të ditur se bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë dhe KFOR-it ishte qendra e diskutimit e njëherit, edhe çështja e barrikadave.
“Bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), në shërbim të paqes dhe sigurisë, ishin në qendër të këtij takimi. Në veçanti u trajtua largimi i suksesshëm i të 16 barrikadave, të cilat po shkelnin rendin e ligjin dhe lirinë e lëvizjes për qytetarët në katër komunat në veri të Ibrit”, thuhet në njoftim.
Krahas kësaj, kryeministri Kurti dhe gjenerali Ristuccia u pajtuan për vazhdimin e komunikimit të shpeshtë dhe bashkëpunimit të rregullt në shërbim të ruajtjes së sigurisë, paqes dhe rendit publik në mbarë territorin e Republikës së Kosovës.
Shkëmbimet e urimeve për vitin 2023 nuk munguan.