Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe deputeti nga radhët e LVV-së Hydajet Hyseni, kanë pritur në takim një delegacion nga Federata e Paqes Universale (UPF).
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se ky delagacion përbëhej nga Dr. Katsumi Otsuka, kryetar i Federatës për Evropën Juglindore, Gani Rroshi, sekretar i Përgjithshëm i UPF në Shqipëri dhe Ejona Icka, sekretare e Përgjithshme e UPF në Kosovë.

“Kryeministri Kurti falënderoi të pranishmit për vizitën, ndërkaq i njoftoi ata për arritjet dhe reformat e deritanishme dhe për indikatorët ekonomikë dhe demokratikë në vend”, njofton Zyra e Kryeministrit.
Tutje njoftohet se në këtë takim është diskutuar për synimet e fondacionit, bashkëpunimin me Kosovën, dhe për vlerat e përbashkëta si të drejtat e njeriut, solidariteti, miqësia dhe paqja.