Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nesër do të takohet me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, takimi do të zhvillohet nga ora 08:30 në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, njofton Dukagjini.
“Pas takimit do të ketë deklarim për media”, thuhet në njoftim.
Arsyet e vizitës së diplomatit danez nuk janë bërë ende të ditura.
Kujtojmë se kjo do të jetë vizita e dytë e Sorensenit në Prishtinë brenda një periudhe të shkurtër.
Sorensen vizitoi kryeqytetin e Kosovës edhe në fund të shkurtit, pas marrjes së detyrës nga Qeveria e re, ku zhvilloi takime me kryeministrin Kurti dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.