Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se partia ku bën pjesë nuk do të marrë pjesë në takimin konsultativ të ftuar nga presidentja Vjosa Osmani për caktimin e datës së zgjedhjeve me liderët e partive politike.
“Nuk ka asnjë arsye për të marrë pjesë në një takim të tillë për faktin se ky veprim bie ndesh me Kushtetutën”, u shpreh Nagavci.
Në një konferencë për media, Nagvci e ka ftuar Osmanin që të thotë me emër e me mbiemër kush janë njerëzit e rrezikshëm dhe kush janë personat e përgjegjshëm për situatën politike.
“Zonja Osmani, e cila aktualisht vazhdon të jetë presidente, ka obligim institucional, kushtetues, personal, të tregojë me emra dhe mbiemra kush janë këta emra të papërgjegjshëm dhe, mbi të gjitha, nëse janë njerëz të rrezikshëm, jo vetëm, sepse duhet ta bëjë të qartë për qytetarët, por edhe është mirë të tregojë nëse ka qenë në njohuri të këtyre planeve çfarë ka ndërmarrë ajo si presidente që t’i pengojë këto plane të rrezikshme. Është obligim i saj dhe është për keqardhje të dëgjohen këto deklarata”, deklaroi Nagavci.
Kujtojmë se Osmani e ka quajtur papërgjegjësi që Kuvendi nuk ka arritur ta zgjedhë presidentin e ri, derisa ka thënë se situatën e sollën njerëz “me qëllime të rrezikshme”.
Osmani: Shpërndarja e Kuvendit u bë pasi përfaqësuesit e popullit vendosën për zgjedhje