Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar të dobishme bisedën me Sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg.
Përmes një bisede telefonike, Kurti dhe Stoltenberg kanë folur në lidhje me situatën e fundit të krijuar në veri të Kosovës.
Sipas Kurtit, Stoltenberg e ka siguruar se NATO dhe KFOR-i janë të angazhuara për ta ruajtur paqen dhe sigurinë në vend.
“Bisedë konstruktive me sekretarin e NATO-s Jens Stoltenberg sot. Ai na siguroi për angazhimin e NATO-s dhe KFOR-it, për ruajtjen e paqes dhe sigurisë”, thuhet në shkrimin e kryeministrit në Twitter.
Tutje në shkrimin e tij, Kurti e ka ripërsëritur qëndrimin e mëparshëm se masat e reciprocitetit të letërnjoftimeve dhe të targave në raport me Serbinë janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Constructive call w/ @NATO SG @jensstoltenberg today. He assured us of @NATO_KFOR’s commitment to maintaining peace & security. Our border & car-plates measures are in line w/ the Constitution & laws and equivalent to measures Serbia has imposed for years on Kosova’s citizens.
— Albin Kurti (@albinkurti) August 2, 2022
“Masat tona të kufirit dhe targave janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet dhe të barasvlershme me masat që Serbia ka vendosur me vite ndaj qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Në lidhje me këtë ka folur edhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike (NATO), Jens Stoltenberg, i cili ka njoftuar për diskutimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, pas zhvillimeve të fundit në Veri të Mitrovicës.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter, Stoltenberg e ka ritheksuar nevojën për ruajtjen e qetësisë dhe shmangien e veprimeve të njëanshme.
“Bisedova me Albin Kurtin për tensionet e fundit në Kosovë dhe rëndësinë e vazhdueshme të misionit të KFOR-it. Të gjitha palët duhet të ruajnë qetësinë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të mbështesin dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Mbetem në kontakt të ngushtë me Prishtinën dhe Beogradin”, ka shkruar Stoltenberg.
KFOR-i ka konfirmuar se gjendja e përgjithshme e sigurisë në komunat veriore të Kosovës ishte e tensionuar.
Përmes një komunikate për media, thuhej se misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO po monitoron nga afër dhe është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e OKB-së e vitit 1999.