Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar për takimin e zhvilluar të hënën me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Kurti bëri të ditur se në këtë takim është diskutuar për rrugën e integrimit evropian të Kosovës, procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja si dhe për forcimin e sundimit të ligjit.
Ai ak theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, duke ritheksuar se qëllimi final është arritja e një marrëveshjeje me njohje reciproke.
“Dje, prita Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Diskutuam për rrugën e integrimit evropian të Kosovës, sundimin e ligjit dhe procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ne mbetemi të përkushtuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë përmes njohjes reciproke”, ka shkruar ai në X.
