Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka uruar qytetarët për njohjen e Kosovës nga Bahamas.
Kurti ka shprehur mirënjohje edhe për angazhimin e presidentes së vendit, Vjosa Osmani, njofton Dukagjini.
“Viti 2024 ishte viti i pasaportës sonë. Viti 2025 është viti i njohjeve të reja, pas një kohe të gjatë. Bahamas bëhet shteti i katërt sivjet dhe i 121-ti që e njeh Republikën tonë si shtet të pavarur dhe sovran. Urime të gjithë qytetarëve dhe një mirënjohje e veçantë për presidenten tonë, Vjosa Osmani, zyrtarët shtetërorë dhe partnerët tanë për një tjetër arritje në forcimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar”, ka shkruar Kurti.
Kurti, mes tjerash, ka thënë se mezi pret bashkëpunimin dhe partneritetin me Bahamas.
“Kosovës po i shtohen miqësitë e reja dhe, bashkë me to, edhe mundësitë e bashkëpunimit. Mezi presim që njohjen e ndërsjellë ta kthejmë në partneritet të sinqertë me shtetin dhe popullin e Bahamas”, ka thënë Kurti.